Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Rivaliteti amerikano-rus për ta joshur Kinën

Rivaliteti amerikano-rus për ta joshur Kinën

Shkruan: Afrim Kasolli- Në planin ndërkombëtar, pa dyshim se një nga vizitat më të rëndësishme shtetërore ishte ajo e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në Pekin.

Gjatë kësaj vizite ai u takua si me ministrin e jashtëm të shtetit kinez, Wang Yi, si dhe presidentin Xi Jinping. Në epiqendër të këtyre takimeve ishin pretendimet e SHBA-së për mbështetjen ushtarake që shteti kinez është duke i dhënë Rusisë për luftën pushtuese në Ukrainë. Sipas zyrtarëve amerikanë Kina po dërgon pajisje, përfshirë mikroprocesorë dhe pajisje të tjera, që shfrytëzohen për prodhimin e armëve ruse.

Me këtë rast, sekretari amerikan i shtetit, i ka paralajmëruar autoritet kineze se SHBA-të mund të miratojnë sanksione ekonomike ndaj firmave kineze që merren me prodhimin dhe transportimin e pajisjeve të tilla.

Po ashtu, Antony Blinken, ka kërkuar nga Kina që të përmbahet sa i përket ambicieve të saj gjeopolitike, sidomos në raport me Tajvanin dhe me synimet për ta shtrirë ndikimin në ujërat e Azi-Paqësorit. Në anën tjetër ministri i Jashtëm i shtetit aziatik e ka paralajmëruar kryediplomatin amerikan që SHBA-të, mos shkelin “vijat e kuqe”. Ky kërcënim u bë me anë të pyetjeve provokuese “se a duhet të vazhdojnë Kina dhe SHBA-të të të ecin përpara më stabilitet apo të kthehen në spiralen e konfrontimit.

Nuk ka dyshim se presioni amerikan mbetet sfidues për politikën e Jashtme të Pekinit zyrtar. Ky shtet, sipas të gjithë indikatorëve global i ka shkëmbimet tregtare ende shumëfish më të mëdha me SHBA-të dhe Evropën Perëndimore, se sa me Rusinë.

Prandaj, çdo sanksionim dhe ndëshkim nga komuniteti trans-atlantik ndaj firmave kineze do të kishte pasoja serioze ekonomike për proceset e brendshme. Dhe siç duket amerikanët janë gjithnjë e të më vendosur për ta balancuar dhe kufizuar këtë politikë duale të Kinës, e cila në njërën anë tenton të përfitojë nga koniunktura ekonomike globale, tregtia botërore etj etj, dhe në anën tjetër në aleancë më Rusinë t’i minojë parimet e këtij rendi.

Siç dihet, SHBA-të e kishin mbështetur Kinën që të integrohet në kuadër të mekanizmave multilateralë financiar, sikur se në Organizatën Botërore të Tregtisë në vitin 2001, me shpresën se ai shtet do të liberalizohej edhe më shumë. Mirëpo, pas gati dy dekada gjërat kanë shkuar në drejtim të kundërt. Madje një dokument politik i përbërë më shumë se 13 mijë fjalë, i publikuar jo më larg se në muajin shtator të vitit të kaluar, nga autoritet shtetërore kineze, e pasqyronte qartë këtë tendencë të Kinës, raportonte atëbotë CNN. Sipas këtij vizioni, Kina po u thotë vendeve tjera, “ju mund të mos e pëlqeni regjimin e brendshëm politik të Kinës apo Rusisë, por nëse dëshironi që bota të ketë siguri dhe paqe u duhet krijuar hapësirë edhe këtyre regjimeve për mbijetesë dhe lulëzim”.

Ndërkohë, këtu duhet kujtuar, se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka njoftuar se synon ta vizitojë Kinën gjatë muajit të ardhshëm. Vizita e fundit liderit rus në shtetin kinez, kishte ndodhur vitin e kaluar,  në cerominë e shënimit të dhjetë vjetorit të projekti “Një Brez, një Rrugë”. Po ashtu, dy liderët më fuqishëm autokratë në planet janë takuar më shumë se 40 herë gjatë dekadës së fundit duke e forcuar gjithnjë e më shumë lidhjen dhe aleancën ndërmjet tyre në një përpjekje për të ofruar një rend botëror alternativ në raport me atë të dizajnuar nga Perëndimi.

Në këtë kontekst, Kina tashmë ndodhet ndërmjet dy joshjeve dhe presioneve të ndryshme diplomatike. Asaj të ofruar në krye me Amerikën, ku i garantohet ritmi ekonomik për shkak të pjesëmarrjes në proceset e tregtisë globale, por i kërkohet kufizimi i synimeve të saj gjeopolitike, ose ta rrezikojë këtë mundësi për shkak të aleancës me Rusinë dhe vendet tjera satelite, në favor të projeksioneve të saj gjeopolitike. Varësisht se cilën rrugë do ta zgjedh ky shtet do të determinohet në masë të madhe edhe proceset globale politike. Sepse këto të fundit do të kushtëzohen nga raportet ndërmjet SHBA-së dhe Kinës. Rajonet tjera do të kenë gjithnjë e më tepër rol periferik në këtë betejë për të ardhmen.

/TV Arbëria

 

 

  

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Themes by WordPress