Në pothuajse gjysmën e vendvotimeve që janë përfshirë në procesin e rinumërimit të votave për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, procesi i rinumërimit tashmë ka përfunduar.
Rinumërimi i rreth një të tretës së vendvotimeve ka nisur më 13 janar, pas evidentimit të dallimeve në fletëvotime dhe në votat e numëruara për kandidatët brenda subjekteve politike. Ky proces është iniciuar për shkak të dyshimeve për parregullsi dhe manipulime gjatë ditës së zgjedhjeve.
Sipas të dhënave që kanë dalë deri më tani nga rinumërimi, mospërputhjet më të mëdha janë vërejtur te kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, ku dyshohet se 44 kandidatë kanë përfituar vota në mënyrë të parregullt. Pasojnë kandidatët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 42 kandidatë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 28 kandidatë, si dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 19 kandidatë të përfshirë në dallime të theksuara në vota.
Veçanërisht shqetësuese konsiderohen të dhënat për nëntë kandidatë të PDK-së, për të cilët mospërputhjet e konstatuara cilësohen si shumë serioze.
Institucionet përgjegjëse zgjedhore kanë theksuar se procesi i rinumërimit po vazhdon dhe se çdo vendim përfundimtar do të merret vetëm pas përfundimit të verifikimit të plotë dhe certifikimit zyrtar të rezultateve.