Shkruan: Afrim Kasolli
Vizita e Sekretarit të shtetit për Çështje të Jashtme në Mbretërinë e Bashkuar, Lordi David Cameron, krahas avancimit të raporteve bilaterale në mes dy shteteve, u veçua edhe për interesimin e tij për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë. Sipas, top diplomatit britanik, ndërtimi i kësaj arterie hekurudhore, do të ishte me rëndësi jo vetëm për këto dy vende, por me interes strategjik për tërë rajonin. Për më shumë, ai u zotua se Londra zyrtare do të angazhohet në finalizimin e këtij projekti.
Sidoqoftë, rikthimi edhe një herë në qendër të vëmendjes të këtij mega-investimi nga një diplomat ndërkombëtar, tregon po ashtu edhe për rëndësinë gjeo-strategjike e Marrëveshjes së Uashingtonit të dakorduar ndërmjet ish-kryeministrit Abdullah Hoti dhe ish-Presidentit Donald Trump, nën drejtimin e ish-Ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell, në shtator të vitit 2020.
Kjo marrëveshje, e quajtur ndryshe zyrtarisht, edhe si marrëveshja për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e kishte paraparë një investim të tillë, madje edhe ndërtimin e një porti të thellësisë së madhe në Detin Adriatik, si dhe një ndërtimin e një parku bizenesor në Fushë Kosovë, nga ku do të behej distribuimi i mallrave, për në shtetet tjera evropiane.
Mirëpo, siç dihet kjo marrëveshje atëbotë u satanizua dhe kritikua me të madhe në Kosovë. Madje, jo pak përfitime të brendshme politike u krijuan nga kundërshtimi i saj, pavërisht faktit, se pikërisht me anë të saj tentohej t’i ngushtohej hapësira për manovrim sidomos Kinës dhe Rusisë.
Gjithsesi koha do të tregojë se ai mobilizim kundër saj a ishte interes edhe i shteteve të caktuara evropiane, duke i përdorur strukturat e brendshme politike, për ta penguar me çdo kusht zhvendosjen e ekuilibrave strategjikë në Ballkanin Perëndimor, me synim favorizimin e shqiptareve.
Dyshimet për këtë skenar shtohen më shumë kur marrim parasysh faktin se në atë kohë dominonte një pakt i harmonik ekonomik dhe politik ndërmjet shumë shteteve evropiane, me theks të veçantë Gjermanisë së Angela Merkelit dhe Rusisë së Putinit. U deshtë të ndodh vetëm lufta në Ukrainë, që të marr fund muaji mjaltit ndërmjet këtyre shteteve dhe të kuptohet se gazi i blerë nga Rusia, nuk ka qenë asgjë tjetër pos investim në forcimin armikut kryesor të paqes, sigurisë dhe demokracisë në kontinent. Po ashtu, u dëshmua se për Evropën nuk ka qenë asnjë herë rrezik kërkesa e Trumpit për shtim të investimeve në mbrojtje, por pikërisht e kundërta
Dhe sot kur jemi pas më shumë se dy vite që ka filluar kjo luftë, është pikërisht Sekretari britanik, që po dëshmon edhe një herë për rëndësinë e vazhdimit të investimeve të anticipuara në atë marrëveshje, si për shqiptarët ashtu edhe për rajonin./TVArbëria/