Shkruan: Afrim Kasolli
Pas shumë spekulimeve dhe dilemave më në fund dje u bë e qartë se asnjë nga anëtarët e Familjes Jashari nuk kanë preferenca për pozitën e Presidentit. Se ata preferojnë të qëndrojnë larg pazareve ditore partiake dhe ta ruajnë aureolen e tyre të “shenjte” kombëtare.
Fillimisht në një prononcim për mediumin Vox Kosova, Murat Jashari e hodhi poshtë në mënyrë kategorike mundësinë që njëri nga anëtarët e kësaj Familje të shpërblehet me atë post. Ai në mënyrë lakonike deklaroi se “Familja Jashari i takon të gjithë shqiptarëve, e jo politikes”. Prandaj çdo përpjekje për ta tjetërsuar atë nga ky status universal kombëtar e për ta parcializuar partiakisht, nuk është asgjë tjetër pos strategji cinike për ta zhveshur nga “etika e qenies”, siç e quante sakrificën sublime të kësaj Familje për liri Arben Xhaferi ( dhe atë pak ditë para epopes së UÇK-së). Apo edhe si pat deklaruar, pak kohë pas përfundimit të luftës administratori ndërkombëtar i UNMIK-ut në Kosovë, Bernard Kushner, se sikur të ekzistentonte çmimi nobel për liri, kjo Familje do të ishte më meritore ta fitonte atë.
Ndërkohë, pa kaluar shumë kohë nga prononcimi i Murat Jasharit, edhe anëtari tjetër i kesaj Familje Bekim Jashari, i konfirmoi hapur fjalët e vëllait të tij duke i dhënë kështu fund spekulimeve për atë temë.
Kam shkruar edhe dje se fushata publike e orkestruar nga Levizja Vetëvendosje, të cilën e amplifikoi hapur ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, se kjo iniciativë ka të bëjë me synimet e partisë fituese të zgjedhjeve për të mos i mbështetur partite opozitare për muri dhe nga nevoja per konsensus është me shumë se groteske. Tentimi për ta përfshirë Familjen Jashari në këto kushte në ujërat ditore politike nuk buron nga mëshira e Albin Kurtit për opozitën apo përdellimi për parimet demokratike, por nga pozicioni i delikat politik dhe diplomatik në te cilën ndodhet.
Tashmë kryeministri e dinë se është vetë ai që eshte imbështetur për muri sa i përket detyrimit per t’i zbatuar obligimet e marra në procesin e dialogut me Serbinë në Bruksel me qëllim normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve. Dhe ne këtë konteskt, fillimi i procedurave për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe statusi i Kishës Ortodokse Serbe mbesin dy nga kafshtat me të hidhura politike. Kryeministri po ashtu është koshient se edhe përkunder mbështetjes plebishitare popullore, jetësimi i këtyre dy pikave është një barrë e madhe politike. Prandaj paketimi i tyre duke pasur në krye të shtetit përfaqësueses të njërës prej Familjeve emblematike kombëtare dhe historike është mbase njera nga taktikat e domosdoshme për fitimin e narracionit të brendshme. Ngjashëm sikur kishte vepruar në mandatin e kaluar me fatin e të pagjeturve. Gjatë gjithë kohës sa ishte në opozitë, Albin Kurti, ngulmonte që Kosova nuk duhet të negociojë me Serbinë pa u zgjidhur paraprakisht kjo çështje. Mirëpo, me të marrë pushtetin në vend të konsekuencës ndaj premtimeve opozitare e emëroi në kry të delegacionit për të pagjeturit të birin e Ukshin Hotit, ( per fatin e të cilit ende nuk dihet asgje) me qëllim që ta relativizonte kritikën e brendshme.
Duket që anëtarët të Familjes Jashari e hetuan këtë intencë politike. Dhe ata realisht nuk e refuzuan postin e Presidentit në vetvete, por mundësinë e instrumentalizimit te tyre si maske ideologjike për te justifikuar dhe arsyetuar qëllimet “profane” të pushtetit me paravane sublime. Prandaj, edhe dominoi një solidaritet i jashtëzakonshem shoqëror nga ai refuzim parimor. Një dëshmi kjo e etjes së qytetarëve të Kosovës për t’i ruajtuar në panteonin e lartësisë historike vlerat kombëtare nga shpërdorimet ditore partiake.