Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > “Rikthimi unilateral” i Amerikës në botë nëpërmjet Richard Grenellit

“Rikthimi unilateral” i Amerikës në botë nëpërmjet Richard Grenellit

Shkruan: Afrim Kasolli

Media të shumta gjatë këtyre dy ditëve lajmëruan se presidenti amerikan, Donald Trump e ka emëruar ish-ambasdorin e SHBA-ve në Gjermani dhe ish të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë, për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, në një pozite thuajse të “paprecedent” deri më tani, në kuadër të administratës amerikane, atë të të dërguarit në “misione të posaçme” në vatrat e nxehta gjeopolitike.

Vetë presidenti Trump, ka shkruar në rrjetin e tij social, se “Ric do të punojë për disa nga pikat më të nxehta në botë, përfshirë Venezuelën dhe Korenë e Veriut”, por pa dhënë më tej hollësi për përgjegjësitë e këtij pozicioni. Kurse sipas Zërit të Amerikës, burime nga ekipi i tranzicionit të zotit Trump i kanë thënë agjencisë Reuters “se zoti Grenell do të fokusohet gjithashtu tek tensionet në Ballkan”.

Ndërkohë, aktiviteti i tij nuk do të jetë në kuadër Departamentit amerikan të Shtetit, por brenda Shtëpisë e Bardhe. Me një fjalë ai do të jetë dora e djathtë e presidentit amerikan për shumë nga zhvillimet ndërkombëtare. Pas emërimit, Gjeneralit Keith Kellogg të dërguarit të posaçëm për konfliktin Rusi-Ukrainë, si dhe të Riachard Grenellit në pozitën e dytë e sipër, thuajse po ravijëzohen disa qëndrimet në politikën e jashtme amerikane gjatë mandatit të ardhshëm presidencial.

Natyra e këtyre veprimeve, tashmë dëshmon qartë se nuk bëhet fjalë për një rikthim në praktikat diplomatike izolacioniste që e kishte karakterizuar këtë shtet në masë të madhe, me pak përjashtime, deri në Luftën e Dytë Botërore, sepse përndryshe këto vatra dhe kriza anekënd botës nuk do të gëzonin një trajtim dhe vëmendje të posaçme të kësaj administrate. Por kjo qasje, po ashtu, tregon edhe për një distancim të SHBA-ve nga strukturat multilaterale e trans-nacionale ndërkombëtare, sic zakonisht ka vepruar deri më tani Uashingtoni veçanërisht pas vitit 1945 në mbrojtje të rendit ndërkombëtar që e inauguroi atë kohë, si dhe pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Madje edhe fitorja kandidatit republikan Donald Trump është shprehje e një revolte të brendshme amerikane ndaj parametrave të këtij rendi. Sepse sipas ndjeshmërisë së përgjithshme politike, Amerika e Para, (America First), tash e tutje duhet të jetë në epiqendër të shqetësimeve gjeostrategjike të Uashingtonit.

Në dritën e këtyre zhvillimeve ajo do të jetë më shumë e rifokusuar nga “rikthimi unilateral” i Uashingtonit në shumë vatra të krizave, e për ta kërkuar solucionin e tyre në koherencë me postulatet e interesave nacionale amerikane. Ku kryesisht relacionet bilaterale dhe raportet transaksionale, do ta predominojnë këtë aktivitet, nën sloganin e imperativit të njohur pragmatist amerikan “finish the job”, e jo zvarritja e proceseve që i mban peng fatet njerëzore, siç edhe ka ndodhur me dialogun Kosovë-Serbi, i cili ka filluar këtu 13 vjet më parë, nën lehtësimin e Brukselit, por pa dhënë rezultate konkrete. Madje më të drejtë Parlamenti Evropian, nëpërmjet një rezolute, kishte ngritur alarmin se mungesa e rezultateve në këtë proces po e diskrediton edhe rolin e Bashkimit Evropian, si një aktor global

Kjo kthese në politikën e jashtme amerikane ka rëndësi specifike sidomos edhe për Kosovën. Ajo mund të krijojë mundësi për fitore dhe zhbllokim të fatit ndërkombëtar të shtetësisë, por edhe për humbje përfundimtare, nëse nuk lexohen drejtë tendencat e reja gjeopolitike nën drejtimin e SHBA-ve. Kjo e fundit tashme e ka kuptuar se nuk e ka luksin të tërhiqet nga bota, por as të simulojë iluzione të situatave normale.

E siç dihet vet procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishte fryt i atij modeli të bashkëpunimit trans-atlantik, që siç po e dëshmojnë emërimet e fundit të presidentit Trump, nuk do t’i kushtohet shumë rendësi gjatë viteve në vijim. Me gjasë edhe për t’u mos u kthyer me kurrë, sepse siç është thënë disa herë, presidenti Joe Biden, mbase do të jetë drejtuesi i fundit trans-atlantik në Zyrën Ovale./tvarbëria/

Themes by WordPress