Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > “Rikthimi sociologjik”  i martesës

“Rikthimi sociologjik”  i martesës

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Për një kohë të gjatë ishte supozuar se martesa gjithnjë e më shumë do të jetë një institucion që i takon së kaluarës. Se njerëzit do të priren sa më shumë të bëjnë jetë vetmitare dhe larg obligimeve dhe detyrimeve që dalin nga kjo “kontratë emocionale”. Numri në rritje i divorceve thuajse e konfirmonte këtë “profeci” .

As Kosova nuk është imune nga ky trend. Trajektorja e shkurorëzimeve ka njohur vetëm rritje, duke e kalur numrin mbi 2000 vitet e fundit.

Për shumë sociologë, ky trend është fenomen “normal” i jetës moderne. Kështu Anthony Giddens, gjatë trajtimit të kësaj teme, në librin e tij të njohur “Sociology” pohon se me rritjen e pavarësisë ekonomike të gruas, martesa është bërë një lidhje partneriteti më pak e domosdoshme nga çka qene më parë.

Mundësitë më të mëdha ekonomike të sotme e bëjnë më të lehtë jetesën më vete, në rast pakënaqësie nga martesa. Fakti që divorci në opinion gjithnjë e më pak stigmatizohet është pjesërisht rezultat i këtyre zhvillimeve. Një faktor tjetër i rëndësishëm është prirja në rritje për vlerësimin e martesës në bazë të shkallës së kënaqësisë personale që të ofron. Rastet në rritje të divorcit duket se nuk tregojnë më aq një pakënaqësi më të madhe nga martesa, sesa një vendosmëri në rritje për ta bërë atë një lidhje që të jep kënaqësi e lumturi. Kurse, sipas mendimtarit të njohur, njohur Zygmundt Bauman,  lidhjet e dikurshme që motivoheshin nga parimet “ gjersa vdekja të na ndajë”, po bëhen gjithnjë e më shumë kontrata të llojit “sa të jetojë kënaqësia”, pra të “përkohshme dhe kalimtare për nga përkufizimi, nga natyra dhe nga impakti pragmatik”, ku ato mund të prishen në mënyrë të njëanshme, sapo “njëri nga partnerët, nuhat me shumë mundësi dhe vlerë më të mirë në mundësinë e shkëputjes nga partneriteti, në vend së të përpiqet ta shpëtojë lidhjen me çdo çmim, sado i pallogaritshëm”.

 

Megjithatë të dhënat e fundit statistikore, të paktën në shoqërinë amerikane, e cila ndryshe njihet si shoqëria më individualiste, flasin për një trend krejt tjetër. Sipas  Brad Wilcox në shkrimin “Why Marriage Survives” jo vetëm që martesa nuk është domosdomoshmërisht në krizë, por ajo po e përjeton një rilulëzim në dallim nga vitet ’70-ta të shekullit të kaluar.  Kështu, divorcet janë në rënie dhe përqindja e fëmijëve që jetojnë në familje me dy prindër është në rritje. Martesa, si një “institucion shoqëror, po tregon shenja të reja force—madje edhe në mesin e grupeve që ishin larguar prej saj gjatë shekullit 20, përfshirë afro-amerikanët dhe amerikanët e klasës punëtore”

 

Me këtë rast sipas Joseph Henrich, antropolog në Universitetin e Harvardit “martesa mbetet një institucionin kyç për shumicën—edhe pse jo për të gjitha—shoqëritë dhe konsiderohet si institucioni më i vjetër i organizmit njerëzor. Në çdo kontinent dhe në çdo epokë, si në shoqëri më patriarkale ashtu edhe në ato më barazimtare, ajo ka rregulluar marrëdhëniet familjare. Në këtë kontekst “ajo ndërtohet mbi psikologjinë evolutive të burrave dhe grave”, ka shkruar sociologu i Yale-it, Nicholas Christakis, brenda së cilës çiftet e “këmbejnë dashurinë dhe mbështetjen”. Natyrisht, nuk mund të mohohet fakti se në masë të madhe ajo ishte edhe çerdhe e padrejtësisë dhe shtypjes ndaj grave. Mirëpo, tash martesa  në SHBA po ndryshon dhe po përshtatet me rrethanat e reja, çfarë e bëjnë atë të ndryshme nga modeli i viteve ’60 dhe ’70, kur u shfaqen tronditjet serioze sociale në kuadër të saj.

 

Si pasojë e këtij evolucioni psikologjik tash edhe burrat janë duke demonstruar gatishmëri më të madhe për angazhim të përbashkët familjar. Sasia e kohës që “baballarët amerikanë kalojnë duke u kujdesur për fëmijët është rritur nga 2.5 orë në javë në vitin 1965 në nëntë orë në vitin 2024. Gjatë të njëjtës periudhë, përqindja e kohës që baballarët kalojnë me kujdesin ndaj fëmijëve është rritur nga 25 në 62 për qind të asaj që ofrojnë nënat.”

 

E për më shumë, përfundon autori në fjalë, aktualisht “burrat që jetojnë vetëm – pa bashkëshorte kanë treguar se jeta e tyre është me pak e kuptimtë dhe më e vetmuar, se sa atyre që kanë status martesor. Kështu pakënaqësia e burrave të pamartuar të moshës 25 deri në 55 vjeç sipas Anketës së Përgjithshme Sociale, është dyfishuar nga fundi i viteve ’90  e deri në vitin 2020.

 

Një dëshmi kjo që nëse për asgjë tjetër të paktën, martesa përkundër sfidave që mund t’i ketë, të paktën mund të bëjë jetën më kuptimplote. Mbase një arsyeje kjo psiko-sociale që në SHBA është duke njohur një rifuqizim.