Shkruan: Afrim Kasolli
Është thënë shpesh se vendet ballkanike prodhojnë më shumë konflikte identitare dhe etnike se sa që janë në gjendje t’i menaxhojnë dhe zgjidhin. Shembull i këtij paradoksi është duke u bërë këto ditë shteti i Maqedonisë së Veriut me politikën e segregimit publik të gjuhës shqipe. Dhe kjo qasje përjashtuese ka filluar të aplikohet në mënyrë tejet tinëzare. Në njërën anë, kryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski e ka shpallur moratoriumin për çështjet etnike në këtë shtet, kurse në anën tjetër ka filluar që të hiqet sinjalistika në gjuhën shqipe në disa nga rrugët nacionale të këtij shteti, edhe pse ligji mbi gjuhët nuk e lejon këtë abuzim. Këto tabela po largohen nga kompania JP “Drazvni putevi”, sikur se në rastin autostradës Bllacë-Shkup.
Në këtë mënyrë, partia në pushtet VMRO-DPMNE, po tenton t’i mbajë të mbyllura për adresim publik çështjet etnike, me argumentin se duhet të diskutojmë për ekonominë, sundimin e ligjit dhe arsimin deri sa në të vërtetë po e toleron në prapaskenë përkeqësimin e tyre.
Ky mentalitet përjashtues ka filluar të aplikohet në masë të madhe që nga përfundimi i zgjedhjeve të fundit parlamentare, kur Hristijan Mickoski, vendosi ta deligjitmojë votën kolektive të shqiptarëve, duke e marr si partner qeverisës koalicionin opozitar VLEN, si dhe e duke anashkaluar koalicionin fitues të zgjedhjeve në taborin e shqiptarëve “Fronti Evropian”. Mirëpo, baza e tij qëndron në frymën politike të populizimit nacionalist që VMRO-DPMNE e kishte ushqyer që një kohë të gjatë si instrument për ta mobilizuar elektoratin maqedonas kundër partisë së LSDM-së, (Lidhjes Social-Demokrate).
Për aq kohë sa ishte në opozitë VMRO-DPMNE, manipulonte me sentimentet e frikës së qytetarëve maqedonas se identiteti tyre ndodhet në rrezik, si nga Bullgaria ashtu edhe nga shqiptarët. Në rastin e parë se nuk do t’i nënshtrohet kërkesës së Sofjes për ndryshime kushtetuese ku edhe etnia bullgare do të shndërrohej në kategori kushtetuese, si dhe dnga pushteti i madh që kanë fituar shqiptarët. Mirëpo, problemi është se afirmimi i këtyre dy temave e tjetërson këtë shtet nga agjenda e integrimeve evropiane, pa plotësimin e së cilës Maqedonia e Veriut e ka vështirë edhe të ekzistojë.
Pra ankthi se maqedonasit do ta humbin si pushtetin ashtu edhe identitetin po shndërrohet në një paranojë kolektive nacionaliste. Atëherë si terapi e vetme mbetet moratoriumi nga proceset reale historike dhe politike integruese si dhe akomodimi në shtratin e skemave anakronike . Gjatë historisë jo pak herë janë shfaqur raste te tilla, ku zhvendosjet demografike, politike dhe sociale kanë prodhuar pakënaqësi (imagjinare ose reale), si dhe tensione politike. Studiuesi i politikës krahasuese Donald Horowitz, ka argumentuar se kur një shumicë e ka ndjenjën se po shndërrohet ne pakicë , atëherë ajo pushtohet nga një ankth politik identitar. Me këtë rast, pjesëtarët e saj kaplohen nga frika se po vendosen nën një rrethim dhe nën dominimin e të huajve. Në rastin e maqedonaseve nga shqiptarët dhe bullgarët. Dhe janë këto presione psikologjike që partia në pushtet VMRO-DPMNE ka filluar t’i shpërdorojë si instrument për përfitime të brendshme politike. Po ashtu, nuk është i rastësishëm as afrimi i saj gjithnjë me shumë me Serbinë, duke e trajtuar këtë fundit si patron të duhur gjeopolitik për të siguruar satisfaksion për këto frustrime.
Sidoqoftë, një qasje e tillë, po e shtron rrugën për ta mbajtur këtë shtet në vorbullën e interesave anti-perëndimore dhe pa dyshim anti-shqiptare. Sepse në këtë mënyrë, Qeveria aktuale po tenton ta mbaj të bllokuar çështjen e shqiptare në emrin e eufemizmit të moratoriumit, derisa paralelisht ka filluar abrogimin dhe segregimin e te drejtave të fituara për përdorim të gjuhës shqipe. Por në këtë mënyrë, pushterti aktual, vetëm sa është duke e mbjellur farën e një krize edhe më të madhe, fatkeqësisht edhe me bekimin e partnerit të tij qeveritar VLEN./tvarbëria/