Shkruan: Afrim Kasolli
Shumëkush ka mbetur i befasuar nga deklarimi i fundit i Presidentit Trump se do ta shqyrtojë mundësinë e dërgimit të armatimit shtesë për Ukrainën me qëllim që ajo të jetë në gjendje ta mbrojë vetveten nga sulmet gjithnjë e më agresive të Rusisë. Se tashmë ai e ka humbur shpresën se mund të arrihet një zgjidhje paqësore për këtë luftë, çfarë edhe kishte premtuar se do ta ndalonte 24 orë pasi ta merrte drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.
Madje se me të në pushtet ajo as që do të kishte shpërthyer, por ishin gabimet diplomatike të ish-administratës demokrate të drejtuar nga ish-Presidenti Biden që ndikuan në shpërthimin e saj. Megjithatë, një ndryshim i tillë i çuditshëm nuk është në kundërshtim me përcaktimin e tij strategjik që ka premtuar se do ta inaugurojë në politikën e jashtme. Presidenti Trump vazhdimisht e ka mbrojtur konceptin e “paqes nëpërmjet forcës” (Peace throug Strength).
Kjo doktrinë siç kanë vënë në pah analistë të ndryshëm të marrëdhënieve ndërkombëtare daton që nga koha Perandorisë Romake. Sentenca “Si vic pace, para bellum” nëse “dëshiron paqe, përgatitu për luftë” qëndron në thelb të saj. Ajo kishte gjetur shtrat edhe në traditën politikëbërse amerikane. Presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Goerge Washington, kishte deklaruar se “ nëse ne dëshirojmë ta sigurojmë paqen, duhet të dihet se një nga instrumentet me fuqishme duhet të jetë gatishmëria jonë për luftë”. Ndërkohë, në kohën ë ish-Presidentit Ronald Reagan, u formulua në mënyrë më koherente kjo qasje me anë te shprehjes “paqe nëpërmjet forcës” (Peace throug Strength).
Në këtë kontekst, Presidenti Trump, e ka bërë të qartë se aplikimi i kësaj strategjie mbetet njëri nga instrumentet e tij kryesore në garantimin e paqes botërore. Kështu, edhe të dërguarit e tij për atë konflikt kanë theksuar disa herë, se nëse Ukraina i minon përpjekjet diplomatike amerikane për sigurimin e paqes do të rishikohet ndihma amerikane për atë shtet . Por nëse Moska nuk ka gatishmëri për një zgjidhje paqësore atëherë do të duhet të ri armatoset Ukraina me armë super moderne në mënyrë që të dobësohet Rusia. Më këtë kontekst, tashmë për Shtëpinë e Bardhë është e qartë se Presidenti Putin nuk ka asnjë interes në ndaljen e kësaj lufte.
Prandaj, e vetmja rrugë që i ka mbetur në dispozicion Uashingtonit për ta siguruar paqen në Ukrainë është disfata e Putinit. Synim ky që nuk mund të arrihet pa forcimin e shtetit kryesor që është duke e ndalur agresionin imperialist të Kremlinit.