Shoqata e Transportit të Autobusëve Prishtinë–Podujevë kishte njoftuar se nga sot, e hënë (18 gusht), kthimi nga Prishtina për në Podujevë do të bëhet nga Xhamia e Llapit. Kjo, sipas tyre, për shkak të mungesës së një stacioni të përshtatshëm, e cila rrezikon sigurinë e nxënësve të shkollave, të qytetarëve të Llapit, si dhe të gjithë udhëtarëve që udhëtojnë në relacionin Prishtinë–Podujevë.
Por kjo nuk ndodhi siç ishte planifikuar nga Shoqata e Transportit Prishtinë–Podujevë, pasi Komuna e kundërshtoi këtë ndryshim nga ana e shoqatës, duke vendosur inspektoratin dhe policinë në hyrje të Prishtinës dhe duke mos i lejuar autobusët të kalojnë.
Madje, për kompani të caktuara janë shqiptuar edhe gjoba deri në 500 euro.
TV Arbëria mëson se ky relacion i autobusëve ndërurban do të fillojë grevën, pasi sipas raportimeve nga udhëtarët, mëngjesin e së hënës ka pasur mungesë të autobusëve dhe nisja për në Prishtinë është vonuar më shumë se 40 minuta.
Si rezultat i ndalesës që iu bë autobusëve në hyrje të Prishtinës, autobusët Podujevë–Prishtinë po i rikthehen grevës. /TV Arbëria