Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Shëndetësi > Rikthehen infektimet dhe vdekjet me Covid–19 në Kosovë

Rikthehen infektimet dhe vdekjet me Covid–19 në Kosovë

Virusi Covid-19 është rikthyer sërish në Kosovë.

Të mërkurën, Instituti i Shëndetësisë Publike ka njoftuar, se brenda dy javëve, 67 persona janë infektuar me COVID dhe një person ka vdekur.

Se a mund të përkeqësohet situata në Kosovë me këtë virus, për Front Online ka folur infektologu, Ilir Tolaj.

Ai tha se mund të rritën rastet edhe më shumë se kaq.

Tolaj thotë se Covid-19 mund të jetë i përjetshëm në mesin tonë.

 “Po është e mundur. Covid-19 tash është sëmundje endemike e cila do të jetë për një kohë të gjatë në mesin tonë ndoshta edhe përjetësisht. Rrjedhimisht do të kemi periudha kur numri i të infektuarve do të shtohet dhe periudha kur ky numër do të jetë më i vogël”, tha Tolaj për Front Online.

Sipas tij, ky lloj i infektimit mund të krijohet edhe në sezonalitet.

“Është e mundur që në të ardhmen të krijohet edhe një ecuri e caktuar brenda vitit një sezonalitet i caktuar dhe e gjithë kjo është krejtësisht normale kur është fjala për këto lloj infeksionesh”, ka thënë Tolaj.

Këto janë moshat që  po i prek virusi Covid-19:

Infektologu Ilir Tolaj ka treguar se rastet e fundit të paraqitura me Covid -19 janë të variantit Omicron.

“Në dy vitet e fundit mbizotëron nën variantet e ndryshme të variantit Omicron. Në përgjithësi janë nën variante që shkaktojnë infeksione të lehta”, tha Tolaj.

Moshat e shtyra dhe personat me probleme kronike sipas Tolajt, janë më të prekurit.

“Nuk ka grup moshe më shumë ose më pak të prekur nga COVID-i. Janë moshat e shtyra dhe ata me probleme shëndetësore kronike që mund të shfaqin simptoma më shumë e në raste edhe më serioze”, tregoi Tolaj.

Infektologu Ilir Tolaj ka treguar për Front Online disa nga simptomat e coronavirusit që është përhapur sërish në vend.

“Simptomat janë ato të cilat tashmë janë të njohura për COVID me përjashtim se problemet me frymëmarrje janë shumë pak ose aspak prezentë. Simptomat tjera janë të shprehura me intensitet më të ulët në përgjithësi shumica e këtyre infeksioneve tash ose janë asimptomatike ose kanë një simptomatologji dhe ecuri të lehtë. Për këtë arsye edhe shumica e të infektuarve e kalojnë pa ditur se janë sërish të infektuar apo e kalojnë në këmbë e me pak simptoma”, theksoi ai.

Ky është njoftimi i Institutit për Shëndetësisë Publike lidhur me situatën epidemiologjike në Kosovë:

Në dy javët e fundit (30.08.2023 – 12.09.2023) janë raportuar 67 raste pozitive dhe 1 rast i vdekjes me COVID-19.

Sipas grup-moshave rezulton se numri më i madh i rasteve i takojnë grup-moshave 50-59 vjeç (me 16 raste) dhe 60-69 vjeç (me 15 raste) me moshë mesatare 52 vjeç.

Prej rasteve të konfirmuara me COVID-19, sipas komunave rezulton se numri më i madh i rasteve është raportuar nga komuna e Prishtinës (25 raste), Pejës (8 raste) dhe Gjakovës (7 raste) kurse incidenca më e lartë e rasteve është raportuar në komunën e Prishtinës me 13 raste në 100,000 banorë dhe Kaçanikut me 12 raste në 100,000 banorë.

Përkundër rasteve të shënuara së fundi, situata epidemiologjike në Republikën e Kosovës me COVID-19 mbetet e qetë, ndërsa qytetarët që manifestojnë shenja të infeksionit këshillohen të testohen dhe konsultohen me mjekun për çdo dyshim në COVID-19.

/TV Arbëria

Powered by WordPress