Gazetari Rid Berisha ka reaguar pas vendimit të presidentes Vjosa Osmani për të tërhequr kërkesën e saj nga Gjykata Kushtetuese, lidhur me pasojat e moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit 30-ditor. Në një reagim të gjatë, Berisha shpreh pikëpamje kritike ndaj arsyetimit të presidentes dhe vendimit të saj politik.
Ai thotë se ndan të njëjtin vlerësim me Osmanin se gjyqtari serb në fjalë punon për interesat e Serbisë, por shton se kjo nuk është ndonjë zbulim i ri:
“99.99% e serbëve kosovarë, me më dëshirë punojnë për shtetin amë – Serbinë – sesa për Kosovën. Kjo nuk përbën lajm, znj. Osmani. Lajm do të ishte nëse shteti i Kosovës, dhe ju personalisht, do ta kishit fituar betejën me Serbinë që ajo të mos i manipulojë serbët për interesa nacionaliste dashakeqe ndaj Kosovës”
Sipas Berishës, arsyetimi i presidentes për tërheqjen e kërkesës nuk është bindës dhe ka gjasa të jetë thjesht një justifikim i dobët politik:
“Profesioni i juristit kërkon saktësi. Dilema e madhe sot është: A është shkruar mirë kjo kërkesë në aspektin juridik? A është arsyetuar bindshëm, me fakte të forta?”
Ai thekson se vendimet në Gjykatën Kushtetuese merren me shumicë votash dhe pyet se pse presidentja vendosi ta tërheqë kërkesën pikërisht sot, dhe pse e bëri publike çështjen e gjyqtarit vetëm tani, nëse kishte informacione të tilla më herët.
Berisha gjithashtu e lidh këtë veprim me kalkulimet politike të presidentes pas vizitës së saj të fundit në SHBA, duke nënkuptuar se Osmani po përpiqet të dallohet nga Albin Kurti përmes mesazheve pro-amerikane dhe qëndrimeve “të ashpra”
“Znj. Osmani, ndoshta, është e trazuar edhe nga takimet bilaterale që Kurti pati në Kosovë me dy zëvendës ndihmës-sekretarë amerikanë. Ajo duket se po përgatitet për një garë të ardhshme politike”
Duke e përshkruar Osmanin si një lidere me ambicie të qarta politike, Berisha shton se ajo nuk është më e pavarur në vendimmarrje dhe po rikthehet te retorika e njohur e “rebelimit dhe mohimit”, të cilën e kishte përdorur më herët për përfitime politike.
“Vjosa Osmani ishte kthyer në gulinov të çdo të arriture të Kosovës, vetëm e vetëm që ta kapitalizonte politikisht maksimalisht ambicien e saj – kryekëput për vete”
Postimi i tij i plotë: