Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > 290 raste me li të ujit dhe 59 raste me zgjebë në Komunën e Prishtinës

290 raste me li të ujit dhe 59 raste me zgjebë në Komunën e Prishtinës

Autore: Besmire Kluna

 Në Komunën e Prishtinës janë evidetuar rastet e para të disa sëmundjeve infektive.

Variçella(lija e ujit) dhe sëmundja e scabies ose siç njihet në gjuhën popullore ‘zhuga’, janë prezente nga muaji janar në kryeqytet, konfirmojnë autoritetet shëndetësore.

Ndërsa në Shqipëri, Maqedoni, Serbi muajve të fundit u raportua për një trend shqetësues të prezencës së këtyre sëmundjeve muajve të fundit. Vetëm në Kosovë nuk u raportuan deri më tash raste të tilla.

Një person i sëmurë me li të ujit mund të infektojë deri në 100 njerëz, pasi që përhapet shumë shpejtë si virus, thonë infektologët.

 Drejtori i Qendrës Komunale të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, Bujar Gashi, përmes një përgjigje me shkrim për TV Arbëria, ka thënë se nga 1 janari dhe deri me 21 shkurt në kujdesin parësor dhe shëndëtesor (KPSH),  janë evidentuar gjithësej 290 raste me li të ujit ose variçela, dhe 59 raste me scabies ose siç njihet ndryshe në gjuhën popullore zhuga.

‘’Në institucionet e KPSH Prishtinë, nga 1 janari deri me sot janë evidentuar 290 raste me li te ujit( variqela), 59 raste me zgjeb ( scabies). Këto jane rastet të cilat janë lajmëruar në institucionet tona’’, ka thënë Gashi.

E infektologu i njohur Prof.Dr. Salih Ahmeti, tha se përhapja e sëmundjes së Variçellës me shpesh ndodh gjatë muajve të dimrit dhe pranverës, dhe e njëjta shfaqet në shpërthime epidemike, në kopshte, çerdhe fëmijësh apo edhe të nxënësit e shkollave fillore por edhe të mesme.

‘’ Sëmundja manifestohet me shfaqje të ekzantemës (lezione lëkurore) në formë të makullës, papullës , vezikulës dhe krustes. Vezikulat gradualisht thahen dhe shfaqen kore (krusta) të cilat më pas zhduken për një periudhë prej një deri në dy javë. Lezionet lëkurore lokalizohen më dendur në trup pastaj në fytyrë, kokë dhe ekstremitete. Këto lezione shoqërohen me kruarje dhe shpesh në këto mund të mbivendosen baktere, si strepatokoku apo stafilokoku’’, ka thënë Ahmeti.

 Poashtu Ahmeti, thotë se në vendin tonë vaksina kundër variçellës nuk aplikohet në kalendarin e rregullt të vaksinimit.

‘’ I sëmuri duhet izoluar nga personat e kontaktit, lezionet kutane duhet lyer me pasta gjegjëse, fëmiu duhet të marrë mjaft lëngje e vitamine, duhet ruajtur higjena e trupit dhe veshjeve, trupi duhet të pastrohet me uji të vakët. Antibiotikët mund të përdoren vetëm te rastet me kompikime dytësore me baktere’’, tha ai.

 Për të marrë të dhëna më të plota në nivel kombëtar mbi prezencën e këtyre sëmundjeve infektive, TV Arbëria ka biseduar edhe me drejtorin e Dermatovenerologjisë në ShSKUK Enver Krasniqi.

Krasniqi, ka thënë se zgjebja ose scabies si sëmundje ngjitëse parazitare manifestohet me kruarje shqetësuese dhe mjekimi I saj, duhet të bëhet I përnjëhershëm tek të gjithë anëtarët e familjes pavarësisht se a kanë të tjerët shenja klinike.

‘’Infektimi kryesisht ndodh me kontakte të shpeshta dhe kohëzgjatja të lëkura me të sëmurin tek i cili ndodhet paraziti dhe që mund të bartet (fjetjet me të sëmurin në ambiente të përbashkëta, qëndrimet në çerdhe, shkolla dhe vende të tjera). Kruarja eshte shenja e parë e sëmundjes e cila shfaqet një muaj pas infektimit. Krotamitoni gjen zbatim gjithashtu si krem apo losion 10%. Kruarja si simptomë qëndron edhe disa ditë pas mjekimit. Në qoftë se personat e mjekuar janë në kontakt edhe me tej me burimin e infeksionit sëmundja rikthehet edhe me shpejtë se herën e parë’’, tha ai.

Deri me tani numër të rasteve me zgjebë ose scabies ka pasur së fundi edhe në disa shkolla në Komunën e Gjakovës.

Këto sëmundje infektive kanë qenë përherë të pranishme në Kosovë, dhe jo vetëm por alarmi u ngreh pasi si asnjëherë më parë edhe në rajon u shtua frikshëm numri i të prekurve nga këto viruse.

Protokolli shëndetësor I trajtimit të këtyre sëmundjeve është mëse i qartë për infektologët.

Ajo që mbetet e paqartë është se pse autoritetet shëndetësore në nivel vendi nuk dalin më të dhëna konkrete nëse gjatë fundvitit të kaluar apo edhe në muajt janar e shkurt, Kosova është pëballur me presence të këtyre virusve në shkallë shqetësuese.

 

/ TV Arbëria

 

Powered by WordPress