Gjykata Komerciale ka vërtetuar sot vendimin e marrë në qershor të vitit 2023 për ndalimin e një kontrate të dyshimtë për projektin afaristo-banesor në Lagjen Lakrishtë, duke konfirmuar se ndërhyrja e atëhershme ishte në mbrojtje të interesit publik.
Lajmin e bëri të ditur Leutrim Retkoceri, i cili në atë kohë ishte udhëheqës i asamblistëve të PDK-së në Prishtinë dhe anëtar i Komisionit të Aksionarëve të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB). Sipas tij, kontrata ishte lidhur me kompani private të krijuara vetëm një muaj para publikimit të tenderit, të cilat do të përfitonin pronë publike me vlerë milionëshe për ndërtim.
“Vendimi i Gjykatës Komerciale dëshmon se ndalëm me kohë një abuzim serioz dhe mbrojtëm interesin publik, si dhe buxhetin e qytetarëve të Prishtinës,” ka deklaruar Retkoceri, duke e cilësuar rastin si skandaloz dhe në dëm të interesit publik.
Ai theksoi se ky vendim përbën një fitore për publikun dhe për Prishtinën, ndërsa shprehu falënderim për angazhimin profesional të avokatit Faton D. Fetahu, ish-shefit të Grupit të PDK-së Abelard Tahiri, si dhe asamblistit Granit G. Geci.
Sipas Retkocerit, rasti dëshmon rëndësinë e transparencës dhe reagimit institucional në kohë për të parandaluar keqpërdorimin e pasurisë publike.