Aretha Franklin e këndoi në anglisht: “Respect”. Në shqip: “Respekt”. Kjo është fjala e vitit, e zgjedhur nga Instituti i Enciklopedisë Italiane Treccani. Fjalori e përkufizon atë si një “ndjenjë dhe qëndrim vlerësimi, kujdesi dhe konsiderate ndaj një personi, një institucioni, apo një kulture, që mund të shprehet përmes veprimeve ose fjalëve”.
Në motivimin për zgjedhjen e kësaj fjale, theksohet se është për shkak të “aktualitetit dhe rëndësisë së saj sociale”.
Valeria Della Valle dhe Giuseppe Patota, bashkëdrejtues të Fjalorit Treccani, shpjegojnë:
“Respekti duhet të vendoset në qendër të çdo projekti edukativ që nga fëmijëria e hershme dhe më pas të përhapet në marrëdhëniet mes njerëzve, në familje, në punë, në raportet me institucionet civile dhe fetare, me politikën dhe opinionet e të tjerëve, si dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare”.
Zgjedhja e kësaj fjale lidhet gjithashtu me mungesën e kësaj ndjenje dhe qëndrimi në shoqëri.
“Mungesa e respektit është në themel të dhunës që ushtrohet çdo ditë ndaj grave, pakicave, institucioneve, natyrës dhe botës së kafshëve”.
Gjithashtu, ata shtojnë:
“Është shumë domethënëse që gjuha italiane ka një numër të madh shprehjesh që përmbajnë këtë fjalë: nga ‘të kesh respekt për dikë ose diçka’, tek ‘mungesë respekti’, nga ‘me respekt të veçantë’ tek formula ‘me gjithë respektin e duhur’, që fatkeqësisht shpesh përdoret gabimisht në polemikat politike si një hyrje për sulme verbale agresive, fyese dhe të dhunshme; ose shprehja ‘njerëz respekti’, e cila për fat të keq lidhet me mafian”.
Treccani sqaron se zgjedhja e fjalës “respekt” synon të theksojë:
-Nevojën për përdorimin e saj në mënyrë semantike dhe qytetare korrekte.
-Vlerën e saj si një parim për t’u ndarë dhe promovuar në shoqërinë civile: respekt për njerëzit, institucionet, kulturat e ndryshme, mjedisin dhe të gjitha qeniet e gjalla.