Ish-presidenti Donald Trump dhe republikanë të tjerë kanë hedhur fajin mbi presidentin amerikan Joe Biden, për sulmin e Hamasit ndaj Izraelit, duke e përmendur një transferim prej 6 miliardë dollarësh në Iran, raporton agjencia “AP”. Sulmi i befasishëm i së shtunës ndaj Izraelit, po përdoret për qëllime politike nga republikanët, në prag të zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së.
Donald Trump, deklaroi se “dollarët e taksapaguesve amerikanë ndihmuan në financimin e këtyre sulmeve”.
Pjesa më e madhe e kritikave republikane u përqendrua në një marrëveshje komplekse të bërë nga administrata Biden në shtator, për lirimin e pesë shtetasve amerikanë të ndaluar në Iran. Si pjesë e marrëveshjes, afërsisht 6 miliardë dollarë në asete të ngrira iraniane që mbaheshin në Korenë e Jugut u transferuan në një llogari në Doha, Katar. Zyrtarët e administratës Biden kanë bërë të ditur se asnjë para në llogarinë e Dohas deri më tani nuk është shpenzuar.
Megjithëse Hamasi është një grup mysliman sunit, ai ka një krah militant që ka ushqyer prej kohësh lidhje të ngushta me Iranin, një burim financimi dhe një fuqi shiite. Hamasi dhe Irani janë bashkuar si shkak i një armiqësie të përbashkët ndaj Izraelit. Biden të shtunën e cilësoi sulmin si “të pandërgjegjshëm” dhe u zotua të sigurojë që Izraeli të ketë “atë që i nevojitet për të mbrojtur veten” pas sulmit.
/TV Arbëria