Thuhet se shpeshherë heshtja është pranim. Ky konstatim do t’i shkonte shumë për shtati sidomos sot Qeverisë së Kosovës pas publikimit të draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Askush nuk u prononcua, për të pohuar apo mohuar se ky dokument është apo nuk është ai që i është dorëzuar Kryeministrit, Albin Kurti nga emisarët perëndimorë gjatë vizitës në Prishtinë, si parapërgatitje për takimin e Kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë me liderët evropianë në margjina të samitit të BE-së në Bruksel.
Kështu, me të kthyer nga ky samit Albin Kurti deklaroi në Prishtinë se është pajtuar për themelimin e Asociacionit. Por pa dhënë detaje me shumë rreth këtij “plani të ri”. Përmbajtjen e tij ai nuk e bëri publike para qytetarëve të Kosovës as në seancën parlamentare të ftuar për të raportuar për këtë temë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës , me arsyetimin se nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, ngase ka obligim para diplomatëve ndërkombëtarë për ta mbajtur atë konfindecial.
Natyrisht, fal mjegullnajës dhe territ informativ që dominonte në shoqëri, e kishte komoditetin të bënte vlerësime paushalle politike sikur se, me këtë draft-statut ndërpritet trashëgimia mos-njohëse e Serbisë ndaj Kosovës etj etj.
Ndërkohë, kur ky draft-statut u prezantua para opinionit nga Burim Ramdani, ish-zyrtar i lartë i Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, pushteti zgjodhi heshtjen. Injorimin e këtij publikimi. Thuajse nuk ka ndodhur asgjë. Apo se ky draft flet për rregullimin brendshëm, bie fjala të Kinës, por jo të Kosovës.
Çuditërisht kësaj indifernce ju bashkua edhe opozita. Edhe pse ata formalisht deklarojnë se nuk kanë parë draft-statutin, por që është pak e besueshme një gjë e tillë. Prandaj, kjo heshtje e skenës politike flet me shumë sesa të tentonin të arsyetoheshin.
Kuptohet, përmbajta e këtij draft-statuti që nga publikimi ka shkaktuar shumë reagime në opinionin publik. Pa dyshim, se gjatë ditëve në vijim ai do të jetë po ashtu njëra nga çështjet me të diskutueshme politike. Dhe do ta analizohet nga këndvështrimi si juridik, historik, politik, social etj etj.
Mirëpo, pajtimi për ta themeluar Asociacionin mbi këtë draft, me nënshkrim apo pa nënshkrim nga Presidenti i Serbisë, apo edhe heshtja opozitare e bënë më të qartë se kurrë çarjen politike në shoqëri. Ose mund të jesh pro këtij modeli të Asociacionit e kundër Republikës. Ose pro kësaj të fundit e kundër Asociacionit. Improvizimet do të jenë të paefektshme. S’mund të ketë as fshehje në raport me këtë antagonizëm.
Me të parën pajtohesh për njohjen ndërkombëtare të Bashkësisë së komunave serbe, por jo të Kosovës. Pra pajtohesh për qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës, ashtu siç është vulosur ky fakt në Marrëveshjen bazë të Brukselit. Si dhe dakordim për vazhdimin pa fund të dialogut, në këmbim të asgjëje. Por, mbrojtja e republikës nuk mund të jetë kauzë neutrale.
/TV Arbëria