Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar raportin vjetor “Anketa e Fuqisë Punëtore 2024”, sipas të cilit 1 milion e 74 mijë e 704 qytetarë ishin në moshë pune, rreth 100 mijë më pak se një vit më parë, ndërsa mbi 56% e tyre janë joaktivë, duke mos punuar dhe pa kërkuar punë. Raporti evidenton gjithashtu se numri i të punësuarve ka rënë në 414 mijë e 495, krahasuar me 425 mijë e 499 qytetarë në vitin 2023.
Duke komentuar këto shifra për Arbëria TV, ekonomisti Arton Muhaxheri tha se Kosova po përballet me një krizë të thellë demografike dhe ekonomike, e cila po reflektohet drejtpërdrejt në tregun e punës.
“Kosova po përballet me një krizë të thellë demografike dhe ekonomike që po reflektohet drejtpërdrejt në tregun e punës. Rënia e popullsisë në moshë pune gjatë vitit 2024 është pasojë e një kombinimi faktorësh: emigrimit masiv, mungesës së vendeve cilësore të punës dhe një klime të përgjithshme zhgënjimi me sistemin ekonomik dhe publik”, ka thënë Muhaxheri.
Ai ka theksuar se “mijëra qytetarë janë shtyrë jashtë tregut të punës jo nga mungesa e vullnetit, por nga mungesa e mundësive reale për punësim dinjitoz”.
“Mbi gjysmën e popullsisë në moshë pune që figuron si joaktive është dëshmi e dështimit të politikave të punësimit dhe e mungesës së përfshirjes së grave dhe të rinjve në ekonomi. Kjo shifër është alarmante, sepse pasqyron një ekonomi që nuk ofron motivim për pjesëmarrje, as siguri për të ardhmen”, ka shtuar ai.
Muhaxheri paralajmëron se Kosova po humb “kapitalin e saj më të vlefshëm – rininë”.
“Arsimi nuk po e lidh me tregun e punës, ndërsa tregu nuk po ofron kushte që ta mbajë atë brenda vendit,” ka thënë ai, duke shtuar se nëse trendi vazhdon, pasojat në 5–10 vitet e ardhshme do të jenë serioze: “mungesë e fuqisë punëtore, ngadalësim i rritjes ekonomike, ulje e kontributeve në sistemet sociale dhe varësi gjithnjë më e madhe nga remitancat. Ky nuk është më një problem social është rrezik ekonomik kombëtar”, përfundoi Muhaxheri për Arbëria TV.