Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Të ndryshme > Rënia e aksioneve në “Tesla” dhe “X”: Pse Elon Musku ngatërrohet në trazirat britanike?

Rënia e aksioneve në “Tesla” dhe “X”: Pse Elon Musku ngatërrohet në trazirat britanike?

Nga: James Moore / The Independent (titulli: What is Elon Musk’s involvement in the riots really about?)

Elon Musku tash është (siç po duket) ekspert i trazirave të shëmtuara të Londrës. Po pra: njeriu më i pasur në botë i hodhi në eter pikëpamjet e veta për dhunën që po shkatërron rrugët e Britanisë; për kriminalitetin e kryer nga rrugaçët e krahut të djathtë, të cilët duket se mendojnë se patriotizmi përfshin futjen e flakës, abuzimin me myslimanët dhe thyerjen e vitrinave të dyqaneve, para se të rrëmbejnë gjithçka që u bie në dorë.

Sipas biznesmenit të shndërruar në autoritetin kryesor të çështjeve botërore, për vendet të cilat ai ndoshta kurrë nuk i ka vizituar, tani është “e pashmangshme” që Britania e Madhe të shkojë drejt “luftës civile”.

Ai gjithashtu e ka ngacmuar kryeministrin Keir Starmer për (ndër të tjera) skandalin e bandave të Roterhamit, dhe madje ka lënë të nënkuptohet se komunitetet trajtohen ndryshe nën të ashtuquajturën “polici që është me e ashpër me të djathtën sesa me të majtën [two-tier policing]”.

Duke përdorur platformën e vet për të postuar një seri të komenteve gjithnjë e më të çuditshme, Musku ia dha përgjigjen vlerësimit (të saktë) të Starmerit se ajo që është duke ndodhur “nuk është protestë”, por në fakt është “dhunë e pastër”. Starmeri vazhdoi duke thënë se ai “nuk do të tolerojë sulmet ndaj xhamive ose ndaj komuniteteve myslimane” të cilët janë në shënjestër.

Për këtë Musku e sfidoi: “A nuk duhet të shqetësoheni për sulmet ndaj *të gjitha* komuniteteve”?

E vetmja gjë e pashmangshme ishte reagimi i publikut, ndërsa figurat me qëllime të mira i peshonin gjërat – me sa duket të tronditur dhe të frikësuar nga keqkuptimet. Për shembull, Rory Stewart u përgjigj: “Njëmend e ke? Qëkur pretendon se i kupton komunitetet britanike apo politikën britanike? Sa ditë saktësisht i ke kaluar ti me këto komunitete? A të shkon ndonjëherë mendja se ndoshta kjo mund të jetë koha e gabuar për të folur për temën për të cilën ti nuk di bash asgjë”?

Stewarti nuk është mjet i askujt – dhe ai nuk e ka gabim. Mirëpo, ndërhyrja e tij megjithatë e vendosi Muskun në qendër të diskursit në internet gjë që është, sipas mendimit tim, pikërisht ajo që në radhë të parë Musku kërkonte.

Twitter/X-i – të cilin Musku pak a shumë u detyrua ta blinte pasi postoi propozimin për blerjen të cilën nuk e mendoi mirë (këtë e pranoi në një intervistë në BBC) – nuk mund të thuhet se ka qenë rrëfim suksesi qëkur ai e ka marrë kontrollin. Në janar të këtij viti, [media] Axios-i zbuloi se Fidelity, një kompani e madhe e menaxhimit të parave në ShBA, kishte cilësuar se vlera e aksioneve të saj në kompaninë e mediave sociale – pasi ka ndihmuar në financimin e blerjes prej 44 miliardë dollarëve [40.3 miliardë euro] – ka rënë me 71.5 përqind.

Kjo bazohet në vlerësimin e Fidelity-t për zotërimet e veta – dhe aksionarët e tjerë mund të kenë mendime të tjera. Por, askujt nuk i pëlqen t’i bien investimet, aq më pak dikujt si Fidelity. Kështu, mund të vendosim një peshore për pikëpamjet e kompanisë në lidhje me performancën e Twitter/X-it në përkujdesjen e Muskut.

Tani, shtrojani vetes këtë pyetje: çfarë mund të bëjë kthesë në atë që duket si vendimi më i keq i investimit të cilin Musku ka ndërmarrë? Po pra – angazhimi. Polemika merr vëmendjen, e cila i tërheq reklamuesit, të cilët sjellin paratë. Megjithatë, ekziston një rrezik në këtë biznes – disa qëllimshëm janë tërhequr nga vlimi i trazirave nga mediat sociale.

Vitin e kaluar, një grup i korporatave u irrituan kur Musku e “pasuroi” një debat me një “cicërime” antisemitike. Që atëherë e ka pranuar se kishte “gabuar”, por vazhdonte t’i fajësonte mediat për nxitjen e reagimit.

“Cicërima” e tij shkaktoi bojkot të faqes, megjithëse në disa raste ishte i përkohshëm. Mesa duket, Musku më pas u përpoq të tërhiqej nga komenti i vet, duke vizituar privatisht Izraelin dhe [ish-kampin] Aushvic-Birkenau në shoqërinë e komentatorit konservator, Ben Shapiro.

Pra, ai nuk paraqet risi në rritjen e tensioneve racore – vetëm se këtë herë, cak janë myslimanët.

Ajo që më shqetëson është se, ndërkohë që Musku pretendon se mbështet fjalën e lirë, ai është duke e bërë një punë të mirë për të krijuar materiale për armiqtë që ka – dhe, për këtë, duke përdorur fuqinë e platformës që zotëron (fatkeqësisht, ende të pakrahasueshme – të paktën sa i përket popullaritetit).

Më duket po aq shqetësues fakti se nëse trazirat në rrugë krahasohen me terrorizmin, siç është pohuar, askush nuk ia kushtuar vëmendjen e duhur Twitter/X-it. Është padyshim terren pjellor për këndvështrime raciste, të së djathtës ekstreme, si dhe për lehtësimin e organizimit të trazirave.

Megjithatë, pavarësisht frikës sonë të vërtetë të përbashkët për Muskun dhe bizneset e tij, që të gjithë ne jemi ende këtu, në Twitter/X. E pranoj këtë gabim.

Nuk mund të mos e cek se autorja Kate Mosse e kishte përgjigjen më të mirë ndaj sjelljes së Muskut: “Mbaroi. Mirupafshim. @twitter, ke qenë i mrekullueshëm. Gjërat tanë janë bërë të tmerrshme. Të gjithë ndjekësit e mi njerëzorë, mund të më gjejnë në Instagram si katemosswriter”, shkroi ajo më herët sot, në atë që me sa duket ishte “cicërima” e saj e fundit.

E pranoj, arsyeja pse ende nuk largohem nga interneti është se ekziston një komunitet aktiv i njerëzve të cilët i kam vlerësuar si shumë më të dobishëm – kur kam pasur telashe me problemet e mia mjekësore, si diabetin e tipit një – sesa NHS-in [Shërbimi Shëndetësor Kombëtar]. E pranoj, është arsyetim i mjerë. Por, tregon gjithashtu se ka grimca drite, përkundër errësirës që është në Twitter/X. Mjerisht, ajo që Musku nxit mund t’i shuajë lehtësisht ato shkëndija.

Por, ndoshta bizneset e tjera të tij do ta zgjidhin këtë problem. Duket se Tesla ka filluar të jetë në telashe serioze, me rënien e shpejtë të çmimeve të aksioneve. E, për çfarë në të vërtetë bëhet fjalë me përfshirjen e Musku në trazirat? Cinikët mes nesh do të thonë se gjithçka ka të bëjë me paratë.

Ndoshta kriza e parave të Tesla-s do ta largojë vëmendjen e tij nga problemet britanike, për t’u marrë ai me problemet e veta …

Powered by WordPress