Shkruan: Afrim Kasolli
Është thënë shpesh se zhvillimet teknologjike e kanë shndërruar botën në një “fshat global”. Se falë këtyre arritjeve ndërlidhja e çdo këndi të planetit është bërë më e afërt se në secilën epokë tjetër të historisë. Kurse njerëzit asnjëherë tjetër nuk kanë pasur më shumë informacione dhe njohuri se tani. Mjafton një telefon i mençur, qasje në internet dhe thuajse çdo gjë që të nevojitet e ke me vete.
Në këtë drejtim, veçanërisht janë potencuar përfitimet dhe mundësitë që janë krijuar nga lindja dhe përdorimi i inteligjencës artificiale. Ndonëse, shumë teoriciene nuk kanë lënë pa i adresuar shqetësimet dhe brengat mbi pasojat dhe efektet e saj negative.
Kështu, në disa shkrime dhe paraqitje publike, historiani i njohur Izraelit, Yucal Noah Harari, ka pohuar se me IA, sot na kanosen skenarë të rrezikshëm, të cilat të kombinuara së bashku mund të formësojnë një kërcënim ekzistencial për mbijetesën e njerëzimit, ashtu siç e kemi njohur atë për mijëra vjet.Ai ka shtuar se ky model është i ndryshëm, nga të gjitha sistemet e deri tanishme teknologjike që janë shpikur gjatë historisë njerëzore. Ngase, sipas tij, IA është i pari model që mund të “vendos nga vetvetja, mund të krijojë ide, të mësojë dhe të zhvillohet po ashtu nga vetvetja”. Dhe në këtë mënyrë për herë të parë qeniet njerëzore do të gjenden në atë situatë, ku ata që e krijuan atë nuk do të jenë në gjendje ta kontrollojnë dhe kështu të parashohin rreziqet dhe problemet që mund të shkaktojë ky zhvillim i sofistikuar teknologjik.
E pikërisht mundësia e shndërrimit të Intelegjeces Artificiale në një agjent mendor që e zëvendëson këtë aktivitet njerëzor mbase e ka bërë me te domosdoshme rëndësinë e filozofimeve të Immanuel Kantit dhe veçanërisht refleksionet e tij mbi iluminizmin.
Në eseun e njohur, “Ç’është Iluminizmi-Was ist Äufklarung” ky filozof tregon për vlerën që e ka kjo traditë në çlirimin e njerëzve nëpërmjet përdorimit të “mendjes së tyre”.
Për Kantin, iluminizmi shënon daljen e njeriut nga papjekuria e tij, për cilën është vetë fajtor. Kjo gjendje është paaftësia e njeriut për ta përdorur mendjen e vet pa drejtimin e një njeriu tjetër. Ndërkohë, sipas këtij filozofi, është pikërisht përtacia se përse një pjesë e madhe e njerëzve, pasi natyra i ka shpallur prej kohësh të lirë nga drejtimi i huaj mbeten prapëseprapë me kënaqësi të papjekur gjatë tërë jetës dhe se përse bëhet kaq e lehtë për të tjerët që të hiqen si kujdestarët e tyre. Është kaq e rehatshme të jesh në këtë gjendje. “Kur unë” thotë Kanti “kam një libër që ka mend për mua. Kur kam një klerik që ka ndërgjegje për mua, kur kam një mjek që e gjykon edhe dieten për mua etj, epo atëherë unë s’kam nevojë që të mundohem edhe vetë. Unë s’e kam të domosdoshme që ta vë mendjen në punë, kur vetëm mund të paguajë, e të tjerët mund të marrin tashmë përsipër punë e mërzitshme për mua”.
Është ky konstatim që mbetet relevant për të reflektuar mbi raportet iluminizmit me zhvillimet informative teknologjike bashkëkohore. A nuk jemi sot dëshmitarë se si shumë protagonistë te jetës politike në vend se ta përdorin mendjen e tyre e kanë shndërruar Intelegjecen Artificiale ne zëvendësim për paaftësinë e tyre dhe e shfrytëzojnë atë edhe për paraqitje të thjeshta publike. Madje në këtë mënyrë të njejtit janë duke e kastruar vetën nga qëndrimet politike, sepse këto të fundit nuk mund të formulohen pa mendim.
Me kete rast, Nithin Monteiro SJ, në shkrimin “Enlightenment as an “already” and a “not yet” Project”, me te drejte ka ka ngritur shqetësimin se as mos sot, pikërisht prirja për ta kërkuar çdo gjë që na nevojitet në labirintet e kesaj bote është duke cenuar aftësinë tonë për të menduar. Pra në vend të ushtrimit të mendjes sonë, e ku e drejta e përdorimit të saj u arrit falë idealeve të iluminizmit kundër autoriteteve të së kaluarës si një kusht ky, për të dalur nga gjendja e papjekurisë, por që tani mund të braktisen këto arritje duke e përqafuar edhe një herë përtacinë e mendjes për shkak të varësisë sonë nga përdorimi i teknologjisë digjitale.
E ky rrezik tregon se iluminizmi ende mbetet një projekt i pa papërfunduar, pikërisht ashtu siç e definonte atë Kanti. Kurse thirrja e tij për përdorim të pavarur të mendjes, mbase është bërë imperativ i kohës, por se tani në raport edhe me rreziqe që Kanti nuk i kishte parashikuar.