Për më shumë se dy dekada, prania e ushtarëve amerikanë në Kosovë ka qenë jo vetëm pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s, por edhe një nga garancitë kryesore të sigurisë së vendit.
Tani, ndërsa Shtetet e Bashkuara rishikojnë angazhimin e tyre ushtarak në Evropë dhe kërkojnë që aleatët evropianë të marrin përgjegjësi më të mëdha për mbrojtjen e kontinentit, pyetjet për të ardhmen e kësaj pranie kanë marrë një rëndësi të re.
Në qendër të ndryshimeve është koncepti NATO 3.0, i cili synon një ndarje të re të përgjegjësive mes dy anëve të Atlantikut.
Kosova nuk është jashtë këtyre zhvillimeve.
Misioni i NATO-s, KFOR, i pranishëm në vend që nga përfundimi i luftës më 1999, ka nisur një proces riorganizimi. Nga mijëra ushtarë amerikanë që shërbenin në Kosovë pas luftës, sot kanë mbetur më pak se 600.
Nuk ka ndonjë vendim të konfirmuar për zvogëlimin e mëtejshëm të tyre.
Megjithatë, ndryshimet në strukturën e forcave amerikane dhe planet për riorganizimin e KFOR-it kanë hapur diskutimin nëse roli i SHBA-së në sigurinë e Kosovës mund të ndryshojë.
Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e ardhmja e pranisë amerikane duhet të mbështetet në një angazhim të qëndrueshëm ushtarak. Ai ka kërkuar që kampi Bondsteel të shndërrohet në bazë të përhershme të SHBA-së.
“Një prezencë e tillë do të shërbente si garantuese për paqe dhe siguri në Kosovë dhe rajon dhe si një bazë strategjike për operacionet e NATO-s në Evropën Juglindore”, ka thënë Kurti.
Një ndryshim në Bondsteel, shumë pikëpyetje
Më 12 tetor, në kampin Bondsteel ndodhi një ndryshim në strukturën komanduese të forcave amerikane në Kosovë.
Për herë të parë pas më shumë se një dekade, njësitë aktive të Ushtrisë amerikane morën nga Garda Kombëtare e Floridës drejtimin e Komandës Rajonale Lindje të KFOR-it.
Ndryshimi mund të duket teknik, por ndodhi në një kohë kur Uashingtoni po bën rishikimin e pranisë së tij ushtarake në Evropë.
Pjesëtarët e Gardës Kombëtare zakonisht shërbejnë me kohë të pjesshme jashtë periudhave të mobilizimit, ndërsa njësitë aktive përbëhen nga ushtarë me shërbim të plotë.