Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > REL: Aeroplani me të cilin besohet se ka udhëtuar në rajon shefi i CIA-s shihet në Aeroportin e Prishtinës

REL: Aeroplani me të cilin besohet se ka udhëtuar në rajon shefi i CIA-s shihet në Aeroportin e Prishtinës

Mesditën e 22 gushtit, një avion i ushtrisë amerikane, me të cilin, besohet se ka udhëtuar shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, në Bosnje dhe Serbi, është parë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Ambasada amerikane në Prishtinë nuk i është përgjigjur pyetjes nëse Burns po viziton Kosovën. Përgjigje për Radion Evropa e Lirë për këtë çështje nuk dhanë as nga Presidenca e Kosovës e as nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Ekipi i Radios Evropa e Lirë, mesditën e së enjtes, e fotografoi aeroplanin e ushtrisë amerikane të ndalur para zonës “VIP” në Aeroportin e Prishtinës.

Me këtë avion besohet se Burns ka udhëtuar nga Sarajeva në Beograd. Ndërkaq, më 22 gusht ky aeroplan udhëtoi nga Beogradi drejt Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe në fund Kosovës, sipas ueb-faqes për gjurmimin e fluturimeve, Flightradar.

Gazetarët e REL-it po ashtu kanë parë një autokolonë duke u larguar nga zona “VIP” e aeroportit “Adem Jashari” drejt Prishtinës.

Kjo autokolonë është përcjellë nga makina të Policisë së Kosovës.

Në Bosnje e Hercegovinë më 20 gusht, Burns u takua me homologët e tij nga sektori i inteligjencës, me anëtarët e Presidencës së këtij shteti dhe me ministrin e Jashtëm të Bosnjës.

Siç tha për Radion Evropa e Lirë një zyrtar i Qeverisë amerikane, i cili foli në kushte anonimiteti, arsyeja e vizitës së shefit të CIA-s në Sarajevë, ndër të tjera ishte edhe për shkak të retorikës dhe veprimeve shqetësuese separatiste të presidentit prorus të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik dhe Qeverisë së këtij entiteti.

Powered by WordPress