Shkruan: Afrim Kasolli
Është thënë shpesh nga analistë të ndryshëm ndërkombëtarë se Serbia, po e zvarrit dialogun dhe po e minon zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara me Kosovën në Bruksel dhe në Ohër, të ndërmjetësuara nga Brukseli, duke u nisur nga fakti se në muajin qershor të këtij viti do të mbahen zgjedhjet për Parlamentin Evropian, prandaj është në pritje të rezultatit të këtyre zgjedhjeve. Po ashtu, analistë tjerë kanë pohuar se një arsyeje tjetër për këtë lojë të dyfishtë të saj është edhe zhvillimi i luftës në Ukrainë. Në këtë mënyrë, shteti serb po e pret rezultatin në terren të kësaj lufte ku Rusia do të avanconte edhe më shumë kundër ushtrisë ukrainase, çfarë do ta impononte në fund një opsion diplomatik të disfavorshëm për Kivein, zgjidhje kjo që do ta forconte edhe pozicionin ndërkombëtar të Serbisë. Dhe më kryesorja këto driblime të shtetit fqinjë, nisen edhe nga kalkulimi strategjik i Vuçiqit mbi rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA, të cilat do të mbahen në muajin nëntor. Kështu presidenti serb shpreson në një fitore eventuale të kandidatit republikan të ish-presidentit Donald Trump, sepse kështu mendon se do ta kishte më lehtë në realizimin e interesave strategjike se sa nën administratën aktuale.
Të gjitha këto supozime mund të jenë të vërteta. Mirëpo, shumë analistë të ndryshëm kanë hetuar një mungesë vullneti edhe nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për t’i zbatuar plotësisht marrëveshjet për të cilat është dakorduar. Arsyetimi i tij është se ato nuk janë nënshkruar nga pala tjetër, edhe pse kjo nuk e ka penguar atë të zbatojë segmente të caktuara të marrëveshjeve me Serbinë, por jo edhe themelimin e Asociacionit. Për më shumë, ai ka dëshmuar se “mund ta tensionojë situatën, për ta shtensionuar përsëri”. Në këtë mënyrë, presioni ndërkombëtar orientohet vetëm te shtensionimi situatës në vend të “themelimit të Bashkësisë së komunave me shumicë serbe”.
Por, shtrohet pyetja atëherë se cilat mund të jenë qëllimet e “pritjes strategjike” të Albin Kurtit? Mbase njëra mund edhe të jetë se edhe ai është duke e ndjekur këtë agjendë në pritje të zgjedhjeve në Parlamentin Evropian, sepse në këtë mënyrë shpreson që të dalin përfaqësues të rinj të BE-së, që do ta kenë qëndrim të ndryshëm nga ai që ka mbajtur deri më tani, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe i dërguari i Brukselit për dialog Mirosllav Lajcak, edhe pse dikur këta dy i kualifikonte si ndërmjetësues të duhur në raport me ish- të emëruarin e SHBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, ish-Ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell. Ndonëse, hulumtimet e fundit të opinionit publik po tregojnë se forcat e ekstremit të djathtë do të jenë gjithnjë e më dominuese në peizazhin e politikës evropiane.
Por çka nëse në të vërtetë edhe vetë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke i pritur zgjedhjet presidenciale në SHBA. Dhe se edhe ai është i interesuar që pozitën e parit të Shtëpisë së Bardhë, ta rifitojë përsëri Donald Trump? Pra përkundër se publikisht e ka pozicionuar vetën si kundërshtar politik i tij dhe mbështetës i Bidenit, në fakt vetëm m të parin mund ta kuptimësojë antagonizmin politik të shtetit të Kosovës me SHBA-në, ashtu edhe siç e ka bërë herën parë. Mirëpo, atë botë ai tension u tejkalua sepse në skenën politike patën tjetër ndikim figura si Abdullah Hoti etj, që e shmangën përplasjen finale, kurse me opozitën aktuale sot, ky skenar ka gjasa që te ketë pasoja fatale. Ngase me të emëruarit e presidentit Biden, për shkak të “investimit” “elektoral” të tij në fitoren zgjedhjeve të kaluara presidenciale e ka të pamundur që të jetësojë këtë projekt. Prandaj, aktualisht ndaj tyre po ndjek një taktikë tjetër. Duke tensionuar dhe shtensionuar raportet me ta nën sloganin tashmë të njohur se me SHBA-të “jemi miq, por edhe nuk pajtohemi për çdo gjë”, për dallim nga konfrontimi total me një administratë eventuale të drejtuar nga Donald Trump.
Ky opsion hipotetik, mbase tregon se ashtu sikur se Vuçiqi është në pritje të kësaj fitoreje, njëjtë mund të jetë edhe Albin Kurti. Por se ky qëndrim i njëjtë në shikim të parë është i motivuar nga qëllime të ndryshme. I pari i nxitur nga kalkulimi për ta afruar Serbinë me Uashingtonin, kurse i dyti për justifikuar ideologjikisht thellimin e përçarjeve. E për ta përdorur këtë situatë si konfirmim përfundimtar të profecisë së tij historike, se edhe Amerika i ndjek vetëm interesat e saj, prandaj tash e tutje nuk na mbetet tjetër, pos që sovranitetin ta ndërtojmë duke u bazuar vetëm në forcat tona.
/TV Arbëria