Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka filluar tashmë procesin e regjistrimit të popullsisë.
Ish ministri i Pushtetit Lokal Sadri Ferati, thotë se procesi i regjistrimit në përgjithësi është shumë i dobishëm, pasi që dihet numri i saktë i popullatës, por jo vetëm kaq. Ferati thotë se me anë të këtij procesi nuk regjistrohet vetëm popullata, por regjistrohen dhe pasuritë, shënime këto të cilat do t’i shërbejnë pastaj shumë dhe politikave sektoriale dhe do të jenë në shërbim të shtetit dhe komunave.
“Procesi i regjistrimit në përgjithësi është shumë i dobishëm, sepse do të dihet saktë numri i popullatës, ngaqë nuk regjistrohet vetëm popullata, por regjistrohen dhe pasuritë. Ka shënime të shumta në formularë, që pastaj shtetit i shërbejnë shumë dhe politikave sektoriale iu sherbejnë shumë në planifikime të ndryshme. Në shtrirjen demografike, planifikimin e komunave, varësisht nga rajonet dhe tek çështja e arsimit e shëndetësisë, por dhe politikave tjera. Do të jetë një rast i mirë që pas regjistrimit dhe përpunimit të të dhënave, që ato vëhen në shërbim të politikave sektoriale, De Facto në shërbim të shtetit dhe komunave”, thotë ai.
Por jo të gjitha komunat do të përfitojnë nga ky regjistrim. Pasi që komunat të cilat do të kenë numër më të vogël të banorëve, do të përfitojnë më pak sa u përket granteve. Ferati thotë se në disa komuna të vogla mund të ketë stagnim. Megjithatë sipas Feratit komunat kanë interes ta dijnë se sa është numri i banorëve, pasi që grantet që ndahen nga Qeveria, e që është kriteri bazë, është numri i popullatës.
“Te ato komuna ku do të dalin më pak banorë, do të mund të ndikojë në zvoglimin e granteve. Tek qendrat e mëdha mund të ndikojë tek rritja, por njëkohësisht do të shihet dhe sa është pjesa e emigrimit, daljes nga Kosova. Kriteri kryesor për ndarjen e buxhetit tek pjesa e granteve është numri i banorëve. Ky do të jetë ndikimi, inpakti kryesor. Tek ato komuna ku ka zvogëlim të banorëve, do të ketë dhe zvoglim të mjeteve dhe ansasjelltas. Ku ka rritje të numrit të banorëve do të ketë rritje të mjeteve. Nuk kisha me thanë se kjo do t’i varfërojë komunat, por do të ketë një stagnim. Ose do të marrin kaq sa kanë, ose do të mund të iu zvogëlohet në përqindje, tek ato komuna që eventualisht zvogëlohet numri i banorëve”, thotë Ferati.
Regjistrimi i popullsisë sipas Feratit, do të ndikojë në planifikimin e komunave. Pasi që sipas tij nëse një komunë ka më pak nxënës dhe numri i tyre vazhimisht po zvogëlohet, aty nuk do të investohet në shkolla, por do të investohet në shkolla në qendrat e mëdha, ku numri i banorëve është në rritje. E njëjtë sipas tij do të veprohet dhe me Qendrat e Mjekësisë Familjare.
“Ndikim do të ketë dhe tek planifikimi, ngase tani me një saktësi më të madhe mund të shihet se cili është numri i banorëve dhe trendi, po themi në mënyrë hipotetike se nëse në ndonjë lokalitet është vjetëruar shkolla dhe shihet që trendi është në zvogëlimin e nxënësve, atëherë aty nuk investohet kot. Por investohet në lokalitetin e madh, ku banorët po shpërngulen, për shembull investohet në një shkollë të re në qytet, por nuk investohet atje në fshat, ku numri i banorëve po zvogëlohet. Njëjtë është dhe në Qendrat e Mjekësisë familjare e të tjera”, thotë Ferati. /Indeksonline/