Komuna e Prishtinës përmes Drejtorisë së Shërbimeve Publike kishte pranuar kërkesën e Kishës Protestante Ungjillore “Bashkësia e Popullit të Zotit” për shfrytëzimin e hapësirës publike në sheshin “Zahir Pajaziti” më 9 maj 2026.
Pas shqyrtimit të kërkesës, komuna kishte njoftuar se, duke u bazuar në rregulloren për vendosjen, ndërtimin dhe largimin e objekteve të përkohshme në pronën publike, aktivitetet me përmbajtje fetare duhet të zhvillohen vetëm në objektet e kultit fetar.
Praktikisht, kërkesa për mbajtjen e aktivitetit fetar në hapësirë publike nuk ishte miratuar.
Pas këtij vendimi, Kisha Protestante Ungjillore “Bashkësia e Popullit të Zotit” ka bërë një padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, përmes së cilës ka kërkuar vlerësimin e ligjshmërisë dhe vlefshmërisë juridike të aktit të kontestuar të Komunës së Prishtinës.
Nga “Bashkësia e Popullit të Zotit” është kërkuar që ky akt të anulohet si i kundërligjshëm, i paarsyetuar, disproporcional dhe diskriminues mbi bazë fetare.
Paditësi ka kërkuar që çështja të trajtohet me prioritet nga ana e gjykatës, pasi aktiviteti është paraparë të mbahet më 9 maj të këtij viti, si dhe ka kërkuar nxjerrjen e një mase të përkohshme/siguruese me qëllim që të mos shkaktohet dëm i pariparueshëm ndaj paditësit.
Sipas padisë, të cilën e ka parë Gazeta Insajderi, Kisha Protestante Ungjillore “Bashkësia e Popullit të Zotit” kishte bërë kërkesë për organizimin e një aktiviteti publik kulturor dhe artistik në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë më 09.05.2026.
Aktiviteti ishte planifikuar të përfshinte muzikë, vallëzim, performanca artistike, skateboard dhe aktivitete kreative për qytetarë dhe të rinj, me pjesëmarrës edhe nga jashtë vendit.
Organizatori kishte deklaruar se aktiviteti do të ishte paqësor, publik dhe se do të respektoheshin rregullat për rendin dhe pastërtinë.
Megjithatë, Komuna e Prishtinës e refuzoi kërkesën me arsyetimin se aktivitetet me përmbajtje fetare duhet të mbahen vetëm në objekte fetare.
Në padi thuhet se ky arsyetim i komunës është i paligjshëm, pasi aktiviteti ishte paraqitur si kulturor dhe artistik, ndërsa ligjet e Kosovës nuk ndalojnë aktivitetet fetare në hapësira publike.
Po ashtu, në padi theksohet se komuna nuk ka paraqitur asnjë provë për rrezik ndaj rendit publik, sigurisë apo të drejtave të të tjerëve.
Më tutje, “Bashkësia e Popullit të Zotit” pretendon se organizatori është njoftuar për refuzimin vetëm dy ditë para mbajtjes së aktivitetit, megjithëse vendimi mbante datë më të hershme, duke i pamundësuar përdorimin në kohë të mjeteve juridike.
Dokumenti pretendon se me këtë veprim janë shkelur e drejta për tubim publik, liria e fesë dhe parimi i barazisë, duke e konsideruar refuzimin diskriminues mbi bazë fetare.
Për këtë arsye, Kisha Protestante Ungjillore “Bashkësia e Popullit të Zotit” ka kërkuar nga gjykata që ta pezullojë vendimin e komunës dhe të lejojë mbajtjen e aktivitetit deri në vendimin përfundimtar të çështjes.
Paditësi gjithashtu kërkon anulimin e vendimit të komunës, konstatimin se i janë cenuar liria e besimit dhe e drejta për organizim publik, si dhe trajtim të barabartë me organizatorët e aktiviteteve të tjera në hapësira publike.
Në dokument përmenden edhe dëshmi si lista e rreth 60 mysafirëve, rezervime, shpenzime organizative, artistë ndërkombëtarë, komunikime me Policinë e Kosovës dhe raste të ngjashme të aktiviteteve të lejuara nga komuna.