Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Receta ballkanike e pushtetit jetëgjatë

Receta ballkanike e pushtetit jetëgjatë

Nga Shqipëria në Serbi, protestat po mobilizojnë mijëra qytetarë, por shndërrimi i pakënaqësisë në ndryshim politik mbetet sfidë. Partitë në pushtet gëzojnë avantazhe që shkojnë përtej mbështetjes së votuesve – nga përdorimi i burimeve shtetërore te ndikimi mbi mediat dhe institucionet.

Gurë e blloqe betoni të hedhura drejt institucioneve, ndërtesa të përfshira nga flakët dhe përplasje me policinë shënuan protestat e ditëve të fundit në Tiranë.

Ajo që nisi si pakënaqësi për kushtet në universitete, kostot e studimit dhe perspektivën e punësimit, mobilizoi edhe qytetarë që kundërshtojnë pabarazinë ekonomike dhe Qeverinë e Edi Ramës.

“Kështu nuk shtyhet, sepse ka njerëz që janë bërë miliarderë, e super-miliarderë, ndërsa ka të tjerë shumë të varfër. Unë nuk mund të pajtohem me padrejtësinë, me Qeverinë që është shumë arrogante dhe shumë e korruptuar”, tha protestuesja Luljeta Kola për agjencinë e lajmeve Reuters.

Pakënaqësia me Qeverinë e Edi Ramës, në pushtet që nga viti 2013, nisi të merrte përmasa më të gjera qysh në fund të majit, kur kundërshtimi i një projekti turistik pranë zonës së mbrojtur të Zvërnecit nxiti atë që u quajt “Revolucioni i Flamingove”.

Kërkesave fillestare iu shtuan ato kundër korrupsionit dhe për dorëheqjen e kryeministrit.

Por, deri tani, pozita e tij politike mbetet e pandryshuar.

Vetëm disa orë pas përplasjeve të 13 tetorit në Tiranë, Rama publikoi në rrjetet sociale një video nga takimet e tij në Bruksel, ku zyrtarë të Bashkimit Evropian vlerësuan përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit.

Të nesërmen, ai vizitoi zyrën e Kolegjit të Evropës në Tiranë, të dëmtuar gjatë protestave, dhe fajësoi opozitën për dhunën.

“Sot, kjo është rrënoja e duarve që nuk janë dhe nuk mund të jenë kurrë duart e studentëve”, deklaroi Rama, duke thënë se studentët përfaqësojnë të ardhmen e vendit.