Disa raportime nga mediat e ndryshme italiane kanë pretenduar se Massimiliano Allegri do të mbetet në krye të Juventusit deri në fund të sezonit, por do të largohet nga ‘Zonja e Vjetër’ në verë.
Allegri ka edhe një vit të mbetur në kontratën e tij me Juventusin, por rezultatet e dobëta së fundmi kanë bërë që e ardhmja e tij të mbetet në dyshim.
Edhe pse mediat kryesore italiane, duke përfshirë Tuttosport dhe Gazzetta dello Sport, konfirmojnë se Juventusi nuk do ta shkarkojë trajnerin në mes të sezonit, shumë burime sugjerojnë se ‘Bianconerët’ dhe Allegri do t’i ndajnë rrugët në verë.
Eksperti i Juventusit, Romeo Agresti, nënvizon se tashmë ka një ‘numërim mbrapsht’ drejt lamtumirës së Allegrit edhe pse tekniku italian nuk është problemi i vetëm i Juventusit.
Calciomercato shton se drejtori i Juventusit, Cristiano Giuntoli, ka kohë që ka konsideruar mundësinë e një trajneri të ri.
Sidoqoftë, kostoja e Allegrit dhe stafit të tij është 20 milionë euro neto kështu që Juventusi duhet të ulet me trajnerin e tyre për të arritur marrëveshje për hapat e ardhshëm dhe për të arritur një marrëveshje financiare nëse vendosin të ndërpresin bashkëpunimin. /Telegrafi/