Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Realiteti gjeopolitik dhe sfidat e krijimit të ushtrisë europiane

Realiteti gjeopolitik dhe sfidat e krijimit të ushtrisë europiane

Shkruan: Aflred Marleku

Deklarata e Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, e shprehur në Konferencën për Siguri të Mynihut mbi domosdoshmërinë e krijimit të një “ushtrie europiane” ka rikthyer në skenë një debat të hershëm mbi autonominë strategjike të Europës. Kërkesa e tij vjen në një epokë komplekse gjeopolitike, ku roli i Shteteve të Bashkuara në mbrojtjen e kontinentit po vihet gjithnjë e më shumë në dyshim, sidomos pas ndryshimeve të mëdha në politikën e jashtme amerikane të artikuluara nga administrata Trump.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë historikisht garancia kryesore për sigurinë europiane, por me rikthimin e Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë, Europa përballet me një realitet të ri. Administrata e tij e sheh botën si një arenë ku fuqia ushtarake dhe aftësia për të imponuar vullnetin përcaktojnë rendin ndërkombëtar. Për këtë arsye, ShBA-ja po e zvogëlon angazhimin e saj në Europë, duke i lënë vendet e kontinentit të përballen vetë me kërcënimet e jashtme. Kjo zhvendosje ka nxitur disa liderë evropianë të propozojnë krijimin e një ushtrie të përbashkët europiane, por një projekt i tillë ndeshet me pengesa të mëdha.

Së pari, një ushtri e tillë do të kërkonte unanimitet mes 27 shteteve anëtare të BE-së, gjë që është jashtëzakonisht e vështirë për t’u arritur, duke marrë parasysh ndasitë e thella politike, interesat e ndryshme kombëtare dhe orientimet strategjike diverse të shtetve. Në këtë kontekst, vende si Polonia dhe Hungaria kundërshtojnë centralizimin ushtarak në një strukturë institucionale europiane, duke argumentuar se NATO-ja duhet të mbetet mbrojtësi kryesor i kontinentit. Nga ana tjetër, shtete neutrale si Austria, Irlanda apo Malta nuk do të pranonin të përfshihen në një strukturë të tillë ushtarake. Për më tepër, shumë vende të Europës Lindore e shohin SHBA-në si aktorin vital dhe garantuesin kryesor të sigurisë së tyre, ndaj nuk do të mbështesnin një reduktim të rolit amerikan në rajon.

Një sfidë tjetër është përputhja e industrive të mbrojtjes dhe pajisjeve ushtarake mes vendeve anëtare. Aktualisht, shtetet europiane përdorin 17 lloje të ndryshme tankesh dhe mbi 20 lloje avionësh luftarakë. Çdo përpjekje për standardizim do të kërkonte investime të mëdha financiare dhe një proces të gjatë adaptimi. Për më tepër, çështja e kontrollit politik dhe komandës mbetet problematike: cili institucion do ta drejtonte këtë ushtri? A do të ishte në varësi të Parlamentit Evropian, Këshillit Evropian apo Komisionit Evropian? Disa shtete nuk do të pranonin që trupat e tyre ushtarake të përdoreshin në konflikte ku nuk janë drejtpërdrejt të përfshira, gjë që do ta bënte të vështirë krijimin e një force të unifikuar.

Një tjetër pengesë e madhe për krijimin e një ushtrie evropiane është mungesa e një strategjie të përbashkët mbrojtëse. Vendet evropiane kanë interesa të ndryshme dhe perceptime të diverse mbi kërcënimet dhe rreziqet me të cilat përballen. Ndërsa vendet e Europës Lindore shqetësohen kryesisht për agresionin rus, duke e renditur atë si kërcënimin kryesor në strategjitë e tyre të sigurisë kombëtare, shtetet e Europës Jugore janë më të përqendruara në sigurinë kufitare dhe menaxhimin e migracionit të paligjshëm, kotrabanës dhe trafikimin me qenie njerëzore. Kjo mospërputhje e prioriteteve e bën të vështirë krijimin e një strategjie të unifikuar ushtarake dhe të një force që mund të veproj në mënyrë efektive.

Një vështirësi madhore është edhe financimi i një ushtrie të tillë. Aktualisht vetëm disa vende evropiane kanë arritur pragun e shpenzimeve prej 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, një standard i vendosur nga NATO-ja. Krijimi i një ushtrie të re do të kërkonte një buxhet të madh dhe investime të konsiderueshme në teknologji dhe infrastrukturë ushtarake, çka është vështirë e realizueshme për shumicën e vendeve të BE-së që përballen me sfida të mëdha ekonomike. Ndërsa Franca dhe Gjermania mund të kenë një orientim strategjik për të rritur shpenzimet e tyre ushtarake, shumë vende më të vogla nuk kanë kapacitetin ekonomik për të kontribuar në të njëjtin nivel.

Për më tepër, krijimi i një ushtrie evropiane mund të shkaktoj tensione me NATO-n. Me 23 nga 27 vendet e BE-së që janë gjithashtu pjesë e NATO-s, një ushtri e pavarur europiane mund të shihet si një përpjekje për të ulur varësinë nga NATO-ja, çka mund të krijoj një rivalitet potencial brenda vetë aleancës. Kjo mund të dobësoj bashkëpunimin strategjik mes ShBA-së dhe Europës, duke e bërë këtë të fundit më të ekspozuar ndaj kërcënimeve të jashtme.

Prandaj, përpjekjet për të krijuar një ushtri evropiane duken më shumë si një manovër politike sesa një plan realist për mbrojtjen e kontinentit. Politikbërësit europianë mund të synojnë të projektojnë një imazh të pavarësisë nga ShBA-ja, por realiteti është se siguria e Europës do të mbetet e lidhur ngushtë me NATO-n dhe Uashingtonin edhe për një kohë. Në vend që të ndjekin një iluzion politik, liderët europianë duhet të përqendrohen në forcimin e kapaciteteve të tyre mbrojtëse brenda kornizës së NATO-s dhe të sigurohen që aleanca të mbetet e fortë dhe funksionale.

Në fund të fundit, fuqia mbetet faktori kryesor që përcakton marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në këtë sistem anarkik, ku mungon një autoritet qendror, shtetet do të veprojnë gjithmonë në bazë të interesave të tyre kombëtare. Në këto rrethana gjeopolitike, krijimi i një ushtrie europiane është vështirë i arritshëm. Në një periudhë të multipolaritetit ndërkombëtar, Europa ka nevojë për një politikë realiste të sigurisë, jo për një eksperiment të paqartë që mund të krijoj më shumë probleme sesa zgjidhje.

Autori është profesor i Shkencave Politike