Kandidatja për deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka reaguar ashpër pasi gazetari Lirim Mehmetaj i publikoi bisedat në WhatsApp mes Mujkës, të pushtetshmes informale Dejona Mihali dhe Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Krasniqi ka deklaruar se mediat, të cilat më herët ishin sulmuar nga pushteti, “ia hoqën maskën një qeverisjeje që ka kapur çdo institucion dhe çdo ndërmarrje publike”.
Ajo thekson se në qendër të skandalit është përmendur edhe ministrja Artane Rizvanolli, ndërsa sipas saj, përpjekjet për të zhvendosur vëmendjen po bëhen përmes sulmeve ndaj figurave historike të vendit.
“Pa turp e pa argument, për të mbuluar veprimet jashtëligjore, kjo qeveri shpif, përqesh dhe njollos figura historike”, ka shkruar Krasniqi, duke përmendur konkretisht Skender Hysenin, bashkëthemelues të LDK-së, bashkëpunëtor të presidentit historik Ibrahim Rugova dhe figurë të rëndësishme të shtetndërtimit.
Sipas saj, qeveria aktuale do të mbahet mend për skandale dhe pazare politike, ndërsa ka shtuar se “po e mbyll karrierën politike para drejtësisë”.