Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Reagon presidentja pas vdekjes së 27-vjeçarit: Urgjentisht transparencë të plotë, përgjegjësi institucionale dhe drejtësi të pakompromis

Reagon presidentja pas vdekjes së 27-vjeçarit: Urgjentisht transparencë të plotë, përgjegjësi institucionale dhe drejtësi të pakompromis

Presidenca e Kosovës, përmes një komunikate, ka bërë të qartë reagimin e presidentes Vjosa Osmanit në lidhje me rastin e Agon Zejnullahut, 27-vjeçarit i cili vdiq pas arrestimit nga Policia e Kosovës në Lipjani, shkruan TV Arbëria.

Presidentja Osmani kërkon që urgjentisht të merren veprime konkrete në lidhje me rastin.

Në reagim thuhet që hetimi të bëhet në mënyrë krejtësisht të pavarur dhe zyrtarët policorë të cilët mund të kenë shkelur ligjin, të vihen para drejtësisë sa më parë.

Reagimi i presidentes përfundon duke thënë se: “Askush nuk është mbi ligjin”.

Reagimi i plotë:

Reagim i Presidentes Osmani

Ngjarja e rëndë dhe tronditëse e vdekjes së një të riu 27-vjeçar, rreth së cilës ekzistojnë dyshime serioze se ka ndodhur gjatë ndërhyrjes së policisë, kërkon urgjentisht transparencë të plotë, përgjegjësi institucionale dhe drejtësi të pakompromis.

Të gjitha rrethanat e këtij rasti duhet të hetohen menjëherë, në mënyrë të pavarur dhe profesionale dhe secili zyrtar që mund të ketë shkelur ligjin apo tejkaluar kompetencat duhet të vihet përpara drejtësisë pa asnjë vonesë. Askush nuk është mbi ligjin.