Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtria Çlirimtare e Kosovës (OVL e UÇK-së) ka reaguar për procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj ish-krerëve të luftës, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si, sipas tyre, janë respektuar të drejtat e të akuzuarve.
Në reagimin e tyre thuhet se nuk duhet të hidhet “hi syve popullit” me deklarata se gjatë gjithë procesit janë respektuar plotësisht të drejtat e të akuzuarve dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Sipas OVL-së së UÇK-së, qytetarët e Kosovës gjatë viteve të fundit kanë kuptuar qartë se sa herë janë shkelur të drejtat themelore të njeriut dhe sa është respektuar në praktikë Kushtetuta e vendit.
“Pikërisht për këtë arsye shtrojmë një pyetje të thjeshtë dhe krejt legjitime: nëse, siç po deklarohet vetë, i gjithë procesi gjyqësor është drejt përfundimit, atëherë pse bashkëluftëtarët tanë nuk lejohen ta presin verdiktin përfundimtar në shtëpitë e tyre, pranë familjeve dhe popullit të tyre?”, thuhet në reagim.
Organizata ngre gjithashtu pyetjen se si mund të arsyetohet mbajtja e tyre në paraburgim për një periudhë kaq të gjatë, kur vetë gjykata ka bërë të ditur se procesi gjyqësor ndodhet në fazën përmbyllëse.
Në fund të reagimit, OVL e UÇK-së thekson se kërkesa e tyre është e thjeshtë drejtësi e vërtetë dhe standarde të barabarta, ashtu siç aplikohen në çdo sistem gjyqësor demokratik.