Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Reagon kooperativa “Krusha” e Fahrije Hotit: S’morëm asnjë mbështetje nga Ministria e Bujqësisë, të trajtohemi me drejtësi

Reagon kooperativa “Krusha” e Fahrije Hotit: S’morëm asnjë mbështetje nga Ministria e Bujqësisë, të trajtohemi me drejtësi

Kooperativa bujqësore “Krusha” thotë se pavarësisht rolit të rëndësishëm në eksport, nuk kanë marrë asnjë mbështetje nga Ministria e Bujqësisë.

Pas lajmit se Ministria e udhëhequr nga Faton Peci i dha 100 mijë euro grant Blerim Pacollit, vëllait të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, KB “Krusha” reagoi lidhur me refuzimin e këtij dikasteri për t’u dhënë grant.

“Kooperativa Bujqësore “Krusha” shpreh shqetësimin dhe zhgënjimin e saj lidhur me vendimin e fundit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), e cila refuzoi aplikimin tonë për grante me arsyetimin se mungonin dokumentet plotësuese lidhur me trajtimin e ujërave dhe përshkrimin teknologjik të procesit të prodhimit”, thuhet në fillim të reagimit të kooperativës së Fahrije Hotit, e cila është një nga 200 gratë e fshatit Krushë e Madhe të Rahovecit që humbën bashkëshortët, djemtë ose të gjithë bashkë gjatë luftës në Kosovë.

Refuzimi, KB “Krusha” thotë se u erdhi me një vit vonesë.

“Dëshirojmë të theksojmë se thirrja për aplikim ishte e hapur gjatë vitit 2023, ndërsa vendimi për refuzimin e aplikimit tonë është kthyer në vitin 2024. Ky vonim në shqyrtim dhe dhënie të përgjigjes ndikon negativisht në planet dhe operacionet tona, duke dëmtuar mundësitë për zhvillim dhe investim”, thuhet në reagim.

KB “Krusha” sqaron se “nuk ka përfituar asnjë grant nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) që nga viti 2015”.

“Në atë kohë, edhe pse u shpallëm përfitues, procesi u shoqërua me vështirësi dhe pagesa e grantit nuk u realizua plotësisht për shkak të problematikave procedurale nga ana e institucioneve. Që nga ai vit, nuk kemi marrë asnjë mbështetje nga MBPZHR, pavarësisht rolit tonë të rëndësishëm në sektorin e bujqësisë dhe eksportit”.

“Pas vendimit të refuzimit, ne paraqitëm ankesë në përputhje me procedurat ligjore dhe shpresuam në një rishikim të drejtë dhe të paanshëm. Megjithatë, vendimi u kthye përsëri si refuzim, këtë herë duke u bazuar vetëm në një pikë të vetme, duke krijuar përshtypjen e një trajtimi të padrejtë. Agjencia sugjeroi që të ndjekim rrugën gjyqësore për ta sfiduar këtë vendim, por një procedurë e tillë paraqet sfida të mëdha për një organizatë si e jona”, sqaron kooperativa ku punojnë gra të këtij fshati.

KB “Krusha” i falënderon, ndër tjerash, Komisionin Europian, GIZ-in gjerman e USAID-in për mbështetjen.

“Dëshirojmë të falënderojmë Komisionin Evropian, GIZ-in gjerman, USAID-in, SwissContact donatorët vendor dhe ndërkombëtar, bizneset dhe fermerët për mbështetjen e tyre të vazhdueshme, e cila ka qenë thelbësore për funksionimin tonë. Falë tyre, KB “Krusha” ka arritur të eksportojë produkte bujqësore në tregjet e Evropës dhe SHBA-së, duke promovuar bujqësinë kosovare në nivel ndërkombëtar”.

Pavarësisht kontributit, kooperativa “Krusha” thotë se nuk po mbështeten, ndërsa u bëjnë thirrje institucioneve që t’i shqyrtojnë me kujdes politikat e tyre dhe të trajtohen me drejtësi.

“Me gjithë këtë kontribut dhe përkushtim, që nga viti 2015 nuk kemi marrë asnjë mbështetje nga MBPZHR. U bëjmë thirrje institucioneve të shqyrtojnë me kujdes politikat e tyre për të siguruar që organizatat si KB “Krusha”, që japin një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit, të trajtohen me drejtësi dhe të marrin mbështetjen e merituar”, thuhet në fund të reagimit.

Powered by WordPress