Shkruan: Afrim Kasolli
Shpërthimi i 29 nëntorit mbi kanalin e lumit Ibër-Lepenc, u cilësua si njëri nga sulmet më ekstreme dhe më të rënda në Kosovën e pas luftës. Sipas interpretimit të përgjithshëm si vendor ashtu edhe ndërkombëtar, ai u vlerësua si sulm terrorist që kishte për qëllim ta dëmtonte infrastrukturën kritike në Republikën e Kosovës. Përfaqësuesit shtetërorë, pa mëdyshje e akuzuan Serbinë si organizatore të këtij ataku, të orkestruar sipas metodave putiniste që po aplikon në Ukrainë. Pak a shumë me të njëjtën gjuhë u shprehen edhe partitë opozitare.
Ndërkohë, përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare e dënuan atë, kërkuan hetim të plotë si dhe që përgjegjësit të dalin para drejtësisë, mirëpo nguruan që në këtë fazë ta drejtojnë gishtin kundër Serbisë, por duke mos e përjashtuar asnjë grup dhe shtet të veçantë me qëllim diversante.
Mirëpo, ekziston një dallim i madh sa i përket mënyrës se si reagoi shteti i Kosovës, që nga nata kritike e 29 nëntorit, në raport me atë të 24 shtatorit në fshatin Banjë, kur grupe paramilitare nga Serbia e kishin sulmuar Kosovën, ku dhe mbeti i vrarë polici hero Afrim Bunjaku. Pas këtij eksplodimi, në një paraqitje mediale, kryeministri Kurti, më shumë u morr me opozitën dhe mediat se sa me sulmin. Duke aluduar se këto të fundit i gëzohen akteve të tilla për ta diskredituar atë politikisht. Ndërkohë në paraqitjen e dytë ai e portretizoi veten si viktimë e rrethanave paraprake pasi i është peng i pamundësisë për ta dërguar FSK-në në pjesën veriore si pasojë e një zotimi të ish-kryeministrit Hashim Thaçi, që kjo e fundit do të mund të shkonte në atë pjesë vetëm me leje të KFOR-it, misionit paqeruajtës në Kosovë. Natyrisht, duke mos lënë pa e kujtuar se sulme të tilla janë shpeshtuar, për shkak të sukseseve të Qeverisë së tij në pjesën veriore. Ku Serbia po bëhet gjithnjë e më nevrike ngase po e humb ndikimin në terren për shkak të çmontimit të strukturave kriminale që ishin mirëmbajtur nga Beogradi për një kohë të gjatë.
Por përtej kësaj frazilogjie politike mungoi një angazhim veçanërisht më i madh sa i përket thirrjes ndërkombëtare për të kërkuar zbardhje të plotë të rrethanave të këtij rasti. Kuvendi i Kosovës edhe pse mbajti seancë plenare hiç me larg se dje, më shumë u përdor për akuza e kundër akuza ndërmjet pushtetit dhe opozitës, se sa për ta transmetuar një mesazh konsensual sa i përket reagimit ndaj kësaj ngjarje. Madje unik në veprim nuk u shfaqen as presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Kurti, të cilët si mbartësit kryesor të pushtetit në Kosovë, as që gjetën kohë për t’u takuar njëri me tjetrin.
Një atmosferë krejt e ndryshme nga ajo që dominoi, siç thamë pas sulmit të 24 shtatorit. Atëbotë pak ditë pas asaj ngjarje Kuvendi i Kosovës, e kishte miratuar një rezolutë e cila e dënonte si sulmin ashtu edhe shtronte nevojën e një hetimi ndërkombëtar për Serbinë dhe rolin e saj në këtë sulm. Kjo rezolute ishte miratuar me 97 vota për, pa asnjë abstenim dhe kundër.
Më ketë rast shtrohet një pyetje logjike, pse institucionet shtetërore nuk e panë të arsyeshme për ta përsëritur një kërkesë të tillë, si dhe nuk dominoi ajo frymë uniteti? A është në pyetje fushata elektorale, ku më shumë se angazhimi për zbardhje e së vërtetës, dominoi motivi për përfitim politik momental./tvarbëria/