Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ka parë forca të shumta policore në Shkup gjatë mbledhjes që pati me partitë simotra të socialistëve.
Ai këtë deklaratë e ka bërë pasi është pyetur për raportimet se ka pasur një tentim atentat ndaj tij.
Teksa kryeministri Kurti po përgjigjej, ajo që ka rënë në sy është reagimi i kryekuvendarit Glauk Konjufca i cili ndodhej pranë tij.
Konjufca në bazë të reagimit që bën, duket sikur të mos ketë pasur dijeni fare për një gjë të tillë.
Radiotelevizioni Publik i Kosovës (RTK) ka raportuar nga burimet e sigurisë se ka pasur një tentativë atentati ndaj kryeministrit të Kosovës, “nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe”.
Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka thënë se gjatë qëndrimit të Kurtit në Shkup nuk ka pasur tentim për vrasjen e tij.
“Ju njoftojmë se gjatë vizitës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Shkup, nuk ka pasur asnjë tentim për vrasjen e tij. Sa i përket sigurisë gjatë vizitës së kryeministrit Kurti, ajo është e organizuar sipas rregullave të paracaktuara dhe vlerësimeve të sigurisë”, kanë thënë nga MPB e e Maqedonisë për Euronews Albania.
Në lidhje me tentim atentatin ndaj tij, Kurti tha se ka mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilët kanë rrënjët në Beograd.
“Nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë se kishte shumë forca policore që u përkujdesën për mbledhjen e mbajtur në Shkup”, tha Kurti.