Vdekja e të riut Agon Zejnullahu në rrethana ende të pasqaruara mirë, ngiti pikëpyetje lidhur me profesionalizmin e reagimit të zyrtarëve policorë në situata kur një i dyshuar tentohet të vihet nën kontroll.
Zejnullahu vdiq në rrethana të dyshimta më 7 korrik në Lipjan, përderisa pesë zyrtarë policorë po përpiqeshin ta kontrollin dhe arrestonin tashmë viktimën, i cili në ditën kritike në gjendje të dehur sulmonte njerëz e vetura rrugëve të Lipjanit.
Këta zyrtarë janë të dyshuar për vrasje nga pakujdesia dhe aktualisht po mbrohen në liri.
Reagimet e tyre janë komentuar në mënyra të ndryshme nga njohës të sigurisë dhe punës së policisë.
Shumëkush i ka vlerësuar si tejkalim të kompetencave dhe reagime joprofesionale policore ato që janë parë nga publiku i gjerë.
Fajin për këtë, shumë nga ta ia kanë vënë edhe kohëzgjatjes së trajnimit për t’u bërë polic.
Trajnimi për t’u bërë zyrtar policor në Akademinë për Siguri Publike në Vushtrri, aktualisht zgjat vetëm rreth tre muaj.
Nga Policia e Kosovës në një përgjigje për TV Arbëria kanë thënë se nëse do të zgjatet koha e trajnimit për zyrtarë policorë, do të vendoset gjatë gjeneratës së radhës.
“Çështjet tjera rreth gjeneratave të radhës dhe kohëzgjatjes së trajnimit, të njëjtat pritet të bëhen publike gjatë gjeneratës së radhës”, kanë thënë shkurtimisht nga Zyra për Informim e Policisë.
Ndryshe, në të kaluarën trajnimi për policë në Akademi ka zgjatur 6 muaj.
Zyrtarët policorë Ibrahim Nela, Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri, janë të dyshuar për vrasje nga pakujdesia të Agon Zejnullahut më 7 korrik, në rrugën “Hajredin Bajrami” në Lipjan.
Prokuroria vlerëson se reagimet e tyre ia kanë shkaktuar vdekjen Zejnullahut.
“…Agon Zejnullahu, ne disa momente tenton të dal nga vetura mirëpo e qetëson qytetari G.B. (vozitësi i veturës VW Golf 7), mirëpo në një moment i njëjti arrin ta hap derën e veturës dhe del nga vetura duke tentuar të ju shmanget zyrtarëve policor, mirëpo aty ndërhyn rreshter Ibrahim Nela, i cili e kap për krahun e majtë qytetarin dhe i njëjti rrezohet në toke që dyshohet të bie me kokë nga ana e majtë, e me pas zyrtarët policor intervenojnë duke tentuar ta prangosin dhe vendosen mbi trupin e qytetarit ku rreshteri qëndron ne anën e majtë të qytetarit tek këmbët e tij, ku me duar i mban këmbët, po ashtu ne anën e majtë të qytetarit në afërsi të regjionit të shpinës ndodhet zyrtari policor Liridon Rahmani i cili kishte veshur jelekun reflektues dhe se bashku me zyrtarin policor Albian Retkoceri, qe ndodhej në anën e djathtë të qytetarit kishin kapur dorën e majtë të tij duke tentuar t’i vendosin prangat, zyrtari policor Artidon Konxheli, kishte vendosur gjurin e tij në regjionin e shpinës në afërsi të qafës të qytetarit ndërsa dorën i kishte vendosur tek koka e tij, ndërsa zyrtari policor Endrit Beqiri, ju asiston kolegëve të tij duke e kapur dorën e djathtë të qytetarit për ta kthyer në pozicionin e prangosjes, ku për të mundësuar këtë Artidoni dhe Endriti ndërrojnë vendet ku Artidoni përsëri vendoset në pozitën para trupit të qytetarit dhe vendos gjurin e majtë të tij në regjionin e shpinës në afërsi të qafës ndërsa dorën e djathtë e vendos në regjionin e kokës, ku dyshohet se nga pakujdesia e tyre, qytetari Agon Zejnullahu kishte nderruar jetë gjatë arrestimit”, thuhet ndër të tjerash në dosjen e Prokurorisë.