Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të moscertifikuar kandidatët e Listës Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit ka shkaktuar valë reagimesh nga ambasadat perëndimore, përfaqësuesit politikë serbë dhe organizatat vendore të monitorimit të zgjedhjeve.
Ambasada gjermane e ka quajtur këtë veprim dëmtues për Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe pengesë në procesin e integrimit evropian.
Në një deklaratë për media, ata theksuan:
“Siç e theksuam javën e kaluar, procesi zgjedhor dhe përgatitjet teknike për zgjedhjet duhet të jenë të lira nga manovrimet politike nga aktorët politikë. Sjellja penguese e disa anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilët refuzojnë të verifikojnë Listën Serbe dhe kandidatët e saj, ndikon negativisht në reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe në rrugën e saj drejt integrimit evropian”.
Ndërkohë, nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, e konsideroi vendimin si të motivuar politikisht, duke akuzuar qeverinë aktuale për ndërhyrje.
“Vendimi i KQZ-së përfaqëson një përpjekje të regjimit të Kurtit për t’u imponuar serbëve se kush do t’i përfaqësojë ata në parlament”, tha ai, duke shtuar se KQZ fillimisht kishte konstatuar se nuk kishte pengesa ligjore për certifikimin.
“Megjithatë, u mor një vendim politik… Kjo tregon edhe një herë se sa shumë Kurti dhe regjimi i tij i frikësohen unitetit serb dhe fitores së Listës Srpska”, shtoi Simiq, i cili konfirmoi se ankesa në PZAP është dorëzuar.
Organizata “Demokracia në Veprim” reagoi po ashtu ashpër, duke e cilësuar vendimin si devijim nga standardet ligjore dhe praktikat e konsoliduara zgjedhore.
“Procesi i certifikimit është një fazë procedurale e qartë dhe e përcaktuar, e cila duhet të bazohet në kriteret ligjore… jo në vendimmarrje të motivuara politikisht”, thuhet në reagim.
Edhe ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, kritikoi vendimin e KQZ-së, duke e vlerësuar atë si “zhgënjyes dhe të diskutueshëm”.
Ai paralajmëroi se vendime të tilla dëmtojnë transparencën dhe gjithëpërfshirjen e procesit zgjedhor.
“Vendimi… nuk po kontribuon në zgjedhje transparente dhe gjithëpërfshirëse”, theksoi Guerot përmes një postimi në platformën “X”.
Moscertifikimi i kandidatëve të Listës Serbe po shihet tashmë si një çështje me pasoja të gjera politike, që ka tensionuar raportet ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë vetëm disa javë para zgjedhjeve. \TVArbëria