Kisha Ortodokse Autoqefale e Kosovës shpreh shqetësimin e thellë lidhur me raportimet e pasakta dhe të njëanshme rreth procesit penal ndaj Kryepeshkopit të Kosovës dhe klerikëve të tjerë.
Ngritja e aktakuzës për “nxitje të urrejtjes dhe përçarjes” nga ana e Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është një veprim i rëndë dhe i pajustifikuar. Ky proces po paraqitet si çështje penale, ndërkohë që në thelb kemi një debat fetar dhe historik, pa asnjë pasojë konkrete në rendin publik.
Pretendimet mbështeten në dëshmi të ofruara nga persona që paraqiten si përfaqësues të Dioqezës së Rashkës-Prizrenit, përfshirë emra si Sasha Mitroviç, i cili nuk rezulton të jetë përfaqësues zyrtar, si dhe Sasha Mijatoviç, i ofruar si dëshmitar nga Kisha Ortodokse Serbe. Pranimi i dëshmive të tilla pa verifikim të plotë institucional dhe juridik dëmton seriozitetin e procesit.
Duhet të theksohet qartë: Kisha Ortodokse Serbe nuk është pronare dhe as administratore e Kishës në Rakinicë. Pretendimi i pronësisë është pjesë e kontestit dhe nuk mund të merret si fakt i padiskutueshëm penal. Më 28 Nëntor 2023, në atë objekt është mbajtur një meshë përkujtimore nga besimtarë vendorë, në kujtim të traditës së tyre shpirtërore. Nuk ka pasur dhunë ndaj personave, nuk ka pasur thirrje për dhunë dhe nuk ka pasur pasoja reale për sigurinë publike.
Sot nuk po gjykohet një kriminel.
Po gjykohet një klerik.
Po gjykohet një bindje fetare.
Po vihet në provë e drejta për të shprehur një qëndrim teologjik.
Në një shoqëri demokratike, liria e besimit dhe liria e shprehjes janë themelore. Ato mbrojnë edhe diskursin e fortë, edhe polemikën fetare. Fjalët mund të jenë të ashpra, por ligji penal ndërhyn vetëm kur ekziston rrezik real dhe konkret për dhunë apo përçarje faktike. Në këtë rast, një rrezik i tillë nuk është provuar.
Prokuroria ka zgjedhur ta trajtojë një debat kishtar si çështje penale. Por aktakuzat nuk ndërtohen mbi ndjenja të lënduara apo mbi interpretime subjektive të deklaratave. Ato ndërtohen mbi prova konkrete që dëshmojnë elementet objektive dhe subjektive të veprës penale.
Kisha Ortodokse Autoqefale e Kosovës respekton Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Ne nuk kemi cenuar asnjë ligj dhe asnjë objekt të trashëgimisë së veçantë kulturore. Çdo veprim ynë ka qenë në kuadër të bindjes fetare dhe të ushtrimit të së drejtës për organizim dhe shprehje.
Shqetësues është edhe fakti i përfshirjes së EULEX në këtë çështje, qoftë edhe në emër të “mbështetjes logjistike”, duke krijuar perceptimin e një trajtimi disproporcional për një çështje që nuk ka prodhuar asnjë pasojë të dhunshme.
Ky proces nuk ka të bëjë vetëm me një individ. Ka të bëjë me standardin e lirisë fetare në Republikën e Kosovës. Nëse sot penalizohet diskursi teologjik sepse është i ashpër, nesër rrezikohet çdo mendim kritik.
Drejtësia nuk duhet të jetë instrument frikësimi. Ajo duhet të jetë garanci e lirive dhe të drejtave themelore.
Ne kemi besim se gjykata do të vlerësojë provat në mënyrë të paanshme dhe do të kërkojë atë që kërkon ligji: dëshmi të qarta dhe përtej çdo dyshimi të arsyeshëm për përmbushjen e elementeve të veprës penale. Në mungesë të tyre, çdo vendim ndryshe do të përbënte precedent të rrezikshëm për lirinë e shprehjes dhe të besimit në vendin tonë.
Kisha Ortodokse Autoqefale e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj paqes, ligjit dhe respektimit të rendit kushtetues të Republikës së Kosoves.