Organizata Shqiptaria ka reaguar ashpër ndaj shfaqjes së një parade ushtarake me simbole dhe elemente të epokës osmane nga ushtria turke në Prizren.
Në reagimin e saj publik, organizata thekson se e konsideron Republikën e Turqisë një shtet mik dhe partner strategjik të shqiptarëve në fusha të ndryshme politike, ekonomike dhe ushtarake. Megjithatë, sipas tyre, miqësia mes popujve nuk mund të ndërtohet mbi glorifikimin e simboleve të një periudhe historike që në kujtesën e shqiptarëve lidhet me pushtimin, robërimin dhe shtypjen për shekuj me radhë.
Sipas Organizatës Shqiptaria, parakalimet me simbolikë osmane, si marshimet “Mehter” dhe uniformat e perandorisë osmane në territoret shqiptare, nuk mund të konsiderohen thjesht si shfaqje kulturore neutrale. Ata vlerësojnë se këto elemente rikthejnë kujtesën historike të vuajtjeve të popullit shqiptar gjatë sundimit osman dhe për këtë arsye përjetohen si provokim dhe fyerje për dinjitetin historik kombëtar.
Në fund të reagimit, Organizata Shqiptaria i bën thirrje shtetit turk që në të ardhmen të shmangë organizime të tilla në trojet shqiptare. Sipas tyre, veprime të këtij lloji nuk i shërbejnë forcimit të miqësisë mes dy popujve, por mund të krijojnë pakënaqësi dhe distancë emocionale mes shqiptarëve dhe turqve.
Organizata thekson se miqësia ndërtohet mbi respektin reciprok për historinë, ndjeshmëritë kombëtare dhe dinjitetin e secilit popull.