Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > REAGIM I ORGANIZATËS SHQIPTARIA: LIRIA FETARE NUK MUND TË VARET NGA PRESIONI I TURMAVE

REAGIM I ORGANIZATËS SHQIPTARIA: LIRIA FETARE NUK MUND TË VARET NGA PRESIONI I TURMAVE

Organizata Shqiptaria shpreh shqetësimin dhe kundërshtimin e saj të fuqishëm ndaj vendimit të Policisë së Kosovës për ndalimin e ceremonisë së planifikuar për bekimin e gurthemelit të Kishës së re në Zogaj të Vushtrrisë.
Sipas njoftimit të Dioqezës Prizren–Prishtinë, autoritetet e sigurisë ishin njoftuar me kohë për zhvillimin e ceremonisë. Bëhej fjalë për një aktivitet fetar, paqësor, në pronën e Kishës, të organizuar nga komuniteti katolik. Megjithatë, ceremonia u ndalua nga autoritetet.
Kjo është çështje shumë më e madhe sesa një ceremoni e vetme. Është çështje e parimit themelor të shtetit demokratik: a i garanton Republika e Kosovës lirinë fetare për të gjithë, apo aktivitetet fetare lejohen dhe ndalohen varësisht nga presioni që mund të ushtrohet mbi institucionet?
Policia e Kosovës ka kapacitet profesional dhe institucional për të garantuar sigurinë e çdo aktiviteti paqësor në Republikën e Kosovës. Nëse ekzistonte ndonjë rrezik konkret, detyra e institucioneve ishte ta menaxhonin atë rrezik dhe të garantonin sigurinë, jo ta kufizonin ushtrimin paqësor të një të drejte themelore.
Nuk mund të lejohet që presioni i grupeve fetare, politike apo ideologjike të përcaktojë se kush mund ta ushtrojë fenë e vet dhe ku mund ta ushtrojë atë.
Organizata Shqiptaria prej kohësh, përmes aktivistëve të saj, është duke i përcjellë me vëmendje zhvillimet që lidhen me aktivitetet fetare në Kosovë, veçanërisht ato raste kur feja përdoret si instrument për të ndikuar mbi identitetin kombëtar, kulturën, historinë dhe karakterin laik të shtetit.
Prandaj shqetësimi ynë është i dyfishtë: nuk kemi të bëjmë vetëm me një kufizim të mundshëm të një aktiviteti fetar, por me rrezikun që institucionet e Republikës së Kosovës të fillojnë të tërhiqen përballë presionit të Islamit politik.
Nëse institucionet shtetërore sot bëhen të paafta ose të pavullnetshme për të garantuar një ceremoni katolike për shkak të presionit të jashtëm, atëherë nesër i njëjti mekanizëm mund të përdoret kundër çdo komuniteti tjetër fetar, kulturor apo politik.
Kjo nuk është rruga e një shteti demokratik.
Kosova është Republikë demokratike dhe laike. Kushtetuta garanton lirinë e besimit, ndërgjegjes dhe fesë dhe ndalon diskriminimin mbi bazë fetare. Këto të drejta nuk janë privilegj i shumicës dhe as privilegj i ndonjë komuniteti. Ato janë të drejta të çdo qytetari.
Kosova është shoqëri me shumicë dërrmuese shqiptare, me komunitete të tjera që gëzojnë të drejta të garantuara kushtetuese. Pikërisht për këtë arsye, shumica shqiptare duhet të jetë mbrojtësja më e fortë e lirisë dhe barazisë fetare, jo lejuese e imponimit të ndonjë ideologjie fetare mbi shoqërinë.
Ne nuk pranojmë që Kosova të shndërrohet në një shtet ku liria fetare matet me peshën e grupit që proteston, kërcënon apo ushtron presion.
Nuk pranojmë që një komunitet katolik shqiptar të ndjehet i rrezikuar apo i penguar në ushtrimin e besimit të tij në vendin e vet.
Nuk pranojmë që institucionet e sigurisë të shndërrohen, me vetëdije apo pa vetëdije, në mekanizëm për kufizimin e një të drejte kushtetuese.
Dhe nuk pranojmë që Islami politik të diktojë standardet e jetës publike në Republikën e Kosovës.
Nëse ka shkelje të ligjit, institucionet duhet të veprojnë mbi bazën e ligjit. Nëse ka rrezik sigurie, institucionet duhet ta neutralizojnë rrezikun. Por nuk mund të ndalohet një ceremoni paqësore vetëm sepse dikush mund të kundërshtojë ekzistencën, simbolikën apo karakterin fetar të saj.
Organizata Shqiptaria i bën thirrje institucioneve të Kosovës që ta sqarojnë publikisht bazën ligjore të vendimit të Policisë së Kosovës dhe të garantojnë që ky rast të mos krijojë precedent për kufizimin e lirisë fetare.
Ashtu siç do ti dilnim në mbështetje secilës bashësi fetare, ne solidarizohemi edhe me besimtarët katolikë të Vushtrrisë dhe me Dioqezën Prizren–Prishtinë në mbrojtjen e së drejtës së tyre për ta ushtruar besimin në mënyrë paqësore, institucionale dhe dinjitoze.
Liria fetare ose është për të gjithë, ose nuk është liri.
Kosova nuk ka nevojë për polici që të ndalojë fenë.
Kosova ka nevojë për institucione që ta mbrojnë lirinë.
Organizata Shqiptaria
17 gusht 2026