Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Reagim i ashpër – Organizata “Shqiptaria” akuza për shtrembërim të historisë

Reagim i ashpër – Organizata “Shqiptaria” akuza për shtrembërim të historisë

Organizata “Shqiptaria” ka reaguar ashpër ndaj një ekspozite të realizuar në Prishtinë nga organizatat “Admovere” dhe “Integra”, duke e cilësuar atë si fyerje ndaj viktimave të luftës në Kosovë dhe shtrembërim të fakteve historike.

Në reagimin publik, kjo organizatë thekson se përmbajtja e ekspozitës përmban pasaktësi dhe relativizim të krimeve serbe, duke e konsideruar si një narrativë të rrezikshme që, sipas tyre, cenon kujtesën kolektive dhe bazat morale të shtetit.

Sipas “Shqiptaria”, përdorimi i listave të Natasha Kandiq si burim kryesor për trajtimin e temës është i papranueshëm dhe joprofesional, duke pretenduar se këto të dhëna janë kontestuar dhe përmbajnë mospërputhje. Organizata shton se ekzistojnë burime të tjera, përfshirë dokumentime nga institucione vendore dhe organizata ndërkombëtare, të cilat sipas tyre janë anashkaluar.

Në reagim përmendet edhe emri i Shkëlzen Gashit, për të cilin thuhet se është kritikuar edhe më herët për qasjen ndaj historisë së luftës së UÇK-së, si dhe Rron Gjinovci, i cili sipas tyre ka minimizuar reagimet qytetare duke i cilësuar si të ekzagjeruara.

Organizata “Shqiptaria” ka drejtuar kritika edhe ndaj institucioneve të Kosovës, duke i akuzuar për mungesë përgjegjësie në financimin e projekteve të tilla me mjete publike. Sipas tyre, deklarimet se institucionet nuk ndërhyjnë në përmbajtje janë të papranueshme dhe bien ndesh me standardet e transparencës dhe llogaridhënies.