Organizata për Kultivimin e Traditave Kulturore SHQIPTARIA denoncon me ashpërsinë më të madhe rastin skandaloz të shpërndarjes së fletushkave me përmbajtje të edukimit dhe riteve islame në qerdhen e fëmijëve WonderKids, e vendosur në lagjen Taslixhe, vetëm dy shtëpi mbi Biblioteka Hivzi Sylejmani.
Ky akt përbën shkelje të rëndë dhe të patolerueshme të parimeve të arsimit publik, Ligjit për Arsimin, si dhe rendit kushtetues të shtetit laik. Futja e dogmës fetare në një institucion parashkollor nuk është “edukim alternativ”, por indoktrinim i papranueshëm i fëmijëve, të cilët mbrohen posaçërisht nga ligji dhe Kushtetuta.
Fëmijët nuk janë terren eksperimentesh ideologjike e as objekt i imponimit fetar. Qerdhet nuk janë xhami, kisha apo medrese. Ato janë institucione edukative neutrale, dhe neutraliteti fetar është detyrim ligjor, jo opsion.
SHQIPTARIA kërkon:
• Hetim të menjëhershëm nga Policia e Kosovës për përgjegjësi penale dhe administrative.
• Ndërhyrje urgjente të Ministrisë së Arsimit dhe masa të rrepta ndaj menaxhmentit të këtij institucioni parashkollor.
• Sanksione shembullore, deri në pezullim apo heqje licence, nëse konstatohet shkelje.
Shteti ka detyrim të veprojë. Shteti laik duhet të mbrojë fëmijët nga çdo formë e dogmës fetare në arsimin publik dhe parashkollor. Çdo hezitim është bashkëfajësi.
Ne nuk do të heshtim. Ky rast nuk është i izoluar dhe nuk do të kalojë pa përgjegjësi. Ligji duhet të zbatohet. Fëmijët duhet të mbrohen. Neutraliteti i shtetit duhet të mbrohet.