Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka reaguar në lidhje me mosvotimin e Nenad Rashiq nga komuniteti serb për nënkryetar në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka thënë se Rashiq nuk është nga Lista Serbe, duke shtuar se PDK, LDK, AAK po e ruajnë nënkryetarin e komunitetit serb për dikë që është në Listën Serbe.
Ai thotë se nuk kanë guxim ta votojnë dikë nga Lista Serbe pa thënë fjalën e fundit Gjykata Kushtetuese.
“Refuzimi i deputetëve nga PDK/LDK/AAK për ta votuar si nënkryetar një deputet që NUK është i Listës Serbe, nënkupton se PDK/LDK/AAK po e ruajnë pozitën e nënkryetarit për dikë TË Listës Serbe.
Vetëm se duke mos pasur guximin politik ta votojnë qysh tash dikë të Listës Serbe, po presin derisa çështja të shkojë në Gjykatë Kushtetuese (për këtë edhe u bënë kinse e përjashtuan nga AAK deputetin Adem Hoxha, që ai t’ia sigurojë nënshkrimin e 10-të Listës Serbe), me shpresën që Gjykata Kushtetuese i nxjerr nga situata, që pastaj të thonë se “s’patëm qare pa votu se na detyroi Gjykata Kushtetuese””, ka shkruar Murati.
Murati thotë se nuk është antikushtetuese zgjedhja e Rashiq nënkryetar, me një shembull të vitit 2021.
“A shkelet Kushtetuta nëse zgjidhet Nenad Rashiq?
Pretendimi i opozitës se gjoja vetëm një deputet i Listës Serbe mund të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit se përndryshe po u shkelka Kushtetuta, është i pavërtetë.
Kushtetuta e thotë që nënkryetari duhet të jetë nga radhët e deputetëve që përfaqësojnë komunitetin jo-shumicë serb, kaq. Pra nuk ka ekskluzivitet apo monopol Lista Serbe në këtë rast.
Pse herën e kaluar në vitin 2021 u zgjodh një deputet i Listës Serbe për nënkryetar, ndërsa tash nuk bën?”, ka thënë Murati.
Postimi i plotë: