Analisti politik Afrim Kasolli, duke komentuar zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, në emisionin Arb Debat me Rid Berishën në TV Arbëria, tha se: “Mund të thuhet se procesi i konstituimit është finalizuar”
Analisti, në TV Arbëria, theksoi se me zgjedhjen e Nenad Rashiqit nënkryetar nga komuniteti serb, konstituimi ndodhi pa vullnetin e tij politik.
“Politikisht dhe numerikisht, ajo që ndodhi sot në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, mund të thuhet se tashmë është finalizuar ky proces. Tashmë i kemi të gjithë nënkryetarët” deklaroi Kasolli.
“Konstituimi ndodhi kundër vullnetit politik të atij që i mori votat, sepse, hiq më larg se dje, personi i cili u zgjodh nënkryetar deklaroi se ajo pozitë nuk i takon atij. Pra, kemi një propozim që nuk vjen nga partia që, sipas Rregullores së Punës, ashtu edhe aktgjykimit të fundit të Kushtetueses, e ka të drejtën e propozimit për nënkryetar. Do të thotë, propozimin e bëri kryetari i Kuvendit në mënyrë arbitrare, në kundërshtim me subjektin politik që i përfaqëson serbët e Kosovës. Kemi një nënkryetar pa vullnetin e tij politik” tha më tej Kasolli.
Kasolli: LDK ra në derexhe me iu nënshtru edhe gjykimit të Agim Bahtirit – votoi kundër vetvetes për shkak të presioneve momentale
Analisti më tej tha se, me votimin e Nenad Rashiqit nga LDK-ja, kjo parti sipas tij votoi kundër vetvetes.
“LDK-ja votoi kundër vetvetes. LDK-ja e shkeli vullnetin e saj politik për shkak të presioneve momentale. Iu nënshtrua vlerësimit të Agim Bahtirit. LDK-ja ra në atë derexhe sa t’i nënshtrohet edhe gjykimit politik të Agim Bahtirit, i cili sot, para seancës, deklaronte me një retorikë të njohur prej anës së tij: ‘Më mirë i pres duart sesa të votoj për Listën Serbe’. Patëm një solidarizim të plotë politik me Agim Bahtirin kundër vetvetes. LDK-ja doli kundër vetvetes, vetëm për t’ia bërë qejfin Agim Bahtirit,” ka thënë Kasolli.
Kasolli për Nait Hasanin: Dikur nuk iu frikësua regjimit të Millosheviqit, sot nuk ka guxim të dalë hapur kundër shantazhit politik të Albin Kurtit
“Nait Hasani, një njeri i cili dikur nuk iu frikësua të ballafaqohej me regjimin e Millosheviqit, sot nuk ka guxim të dalë hapur kundër shantazhit politik të Albin Kurtit,” deklaroi Kasolli në Arb Debat.