Dy shpërthime u dëgjuan pasditen e së martës në Zubin Potok, ndërsa tri të tjera në Mitrovicë të Veriut – që të dyja komuna të banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.
Sipas raportimeve të disa mediave serbe, shpërthimet në Zubin Potok ndodhën në kohën kur anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor, nën përcjelljen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, hynë në hapësirat e objektit komunal.
Burime të REL-it thanë se në Mitrovicën e Veriut u dëgjuan sirena alarmuese para orës 15:00.
Paraprakisht, sipas tyre, anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor, në prani të Policisë së Kosovës, tentuan të hyjnë në selinë e Komisionit Zgjedhor në këtë komunë.
Nuk është e qartë nëse arritën të hyjnë. Në vendin e ngjarjes u mblodhën disa qytetarë, ndërsa automjetet e policisë nuk shihen më.
Katër komunat në veri – Zubin Potoku, Mitrovica e Veriut, Zveçani dhe Leposaviqi – janë pa kryetarë qysh në fillim të nëntorit, kur ata kanë dhënë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri. /TV Arbëria