Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Raportohet për luftime të ashpra në jug të Gazës

Raportohet për luftime të ashpra në jug të Gazës

Luftime të ashpra janë raportuar në qytetin jugor të Gazës, Han Junis, më 2 janar, një ditë pasi Izraeli tha se do të tërheqë mijëra trupa nga zona të tjera të këtij territori.

Palestinezët raportuan për sulme ajrore dhe me artileri gjatë natës dhe në mëngjesin e 2 janarit në Han Junis dhe në zonat afër kufirit me Izraelin. Luftime po ashtu janë raportuar në dhe përreth kampit të refugjatëve Burej, në Gazën qendrore.

Edhe në Qytetin e Gazës, prej ku shumica e banorëve kanë ikur dhe ku trupat izraelite po luftojnë me luftëtarët e Hamasit për më shumë se dy muaj, banorët kanë raportuar për luftime në lagje të ndryshme, por edhe në kampin e refugjatëve Xhabalia, që gjendet afër.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar se do të vazhdojë luftën derisa Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – të shkatërrohet dhe të lirohen mbi 100 pengje që mbahen nga ky grup radikal. Lideri izraelit ka thënë se lufta mund të vazhdojë edhe për disa muaj.

Por, më 1 janar Izraeli njoftoi se do të tërheqë mijëra trupa nga Gaza. Ky njoftim erdhi pak para vizitës në rajon të sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, përderisa Izraeli po përballet me presion ndërkombëtar për të ndalur ofensivën e tij që ka vrarë pothuajse 22.000 palestinezë. Blinken i ka bërë thirrje Izraelit që të bëjë më shumë për të mbrojtur civilët palestinezë.

Hamasi ka vrarë 1.200 persona dhe ka zënë rob afër 240 të tjerë gjatë sulmit të 7 tetorit në jug të Izraelit që nxiti luftën.

Izraeli është shumë afër marrjes së kontrollit operacional në pjesën veriore të Gazës dhe ka thënë se do të reduktojë numrin e forcave në atë pjesë. Megjithatë, luftime të ashpra po zhvillohen në territorin palestinez, veçmas në jug, ku gjenden shumë forca të Hamasit dhe shumica e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh e Gazës që ka ikur nga luftimet në veri.

Pavarësisht se ka njoftuar për tërheqjen e mijëra trupave në javët në vijim për pushim dhe trajnime, ushtria izraelite nuk ka thënë nëse ky vendim paraqet një fazë të re të luftës. /REL

Powered by WordPress