Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express kanë thënë se ende s’kanë marrë asnjë vendim lidhur me natyrën e bashkëpunimit me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës dhe elementeve vartëse të saj dhe se janë ende duke e shqyrtuar.
Kështu kanë thënë të pyetur nga Gazeta Express lidhur me raportimet në media se SHBA ka anuluar disa trajnime të Policisë së Kosovës si rezultat i veprimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës në katër komunat veriore, siç kanë specifikuar Ambasada e SHBA, veprime të bëra në mënyrë të pa koordinuar.
“Në përgjigje të pyetjeve tuaja, ju referojmë deklaratës sonë të 30 gushtit, ku theksohej: “Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”. Ne jemi duke vazhduar shqyrtimin e çështjes dhe nuk kemi marrë asnjë vendim për momentin”.