Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar shpenzimet e partive politike në tre muajt e fundit, nga prilli në qershor.
Sipas dokumentit të publikuar nga KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka shpenzuar për tre muaj rreth gjysmë milioni euro. Vlera totale e shpenzimeve të kësaj partie është 498 mijë e 800 euro.
65 mijë e 86 euro janë shpenzime të qirasë, 49 mijë e 220 euro janë shpenzuar për dreka zyrtare, 32 mijë e 331 euro janë shpenzime marketingu, ku përfshihen reklamat dhe konkurset dhe shpenzimet për informim publik, 32 mijë e 911 euro janë shpenzuar për furnizim me ushqim dhe pije, 22 mijë euro për akomodim, 15 mijë e 493 euro karburante për vetura. Shpenzimet e pagave janë 237 mijë e 650 euro.
Gjatë kësaj periudhe kohore, VV ka deklaruar se ka pranuar donacione në vlerë 1 mijë e 524 euro.
Personat që kanë kontribuar janë: Avni Dehari, Fatban Bunjaku dhe Glauk Konjufca. Konjufca ka dhënë donacione për partinë në vlerë 1 mijë euro.
Për këtë tremujor, VV ka pasur buxhet në vlerë 656 mijë e 793 euro.
Këto shpenzime publikohen me qëllim të zbatimit të Ligjit nr. 08/L-122 për Financim të Subjekteve Politike.
Sipas këtij ligji, subjektet politike i dorëzojnë këto raporte në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) dhe të njëjtat publikohen në ueb faqen e KQZ-së dhe të subjekteve politike.