Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Raporti i regresit për të drejtat e fëmijëve

Raporti i regresit për të drejtat e fëmijëve

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Publikimi i Raportit të Progresit për Kosovën për vitin 2024, nxori në pah situatën pa shtegdalje sa i përket agjendës së integrimeve evropiane, nëse nuk ndërron qasja e pushtetit, si këtij aktual, apo çfarë do qeverie tjetër të mundshme që mund të krijohet nga zgjedhjet e 9 shkurtit, nëse Kosova nuk i plotëson detyrimet e marra në procesin e dialogut që dalin nga Marrëveshjet e bazë të Brukselit dhe aneksi i zbatimit të Ohrit. Sipas Komisionit Evropian, tashmë Kosovës i takon ta hedh hapin fillestar në drejtim të zbatimit të këtyre marrëveshjeve, për t’u pasuar nga Serbia. Për më shumë, tashmë edhe kërkesa për dërgimin e draft-statutit të propozuar nga BE-ja në Gjykatë Kushtetuese, thuajse konsiderohet si kapitull i mbyllur.

 

Mirëpo, përtej kësaj bllokade makro-politike, ky raport e bëri të ditur edhe një dështim tjetër të shtetit të Kosovës, e që mjerisht nuk mori në mase të duhur vëmendjen e opinionit publik, në një temë shumë të ndjeshme, sikur se krijimi i kushteve për trajtim të barabartë të të gjithë fëmijëve në Republikën e Kosovës. Ndonëse raporti tregon se korniza ligjore e Kosovës mbi të drejtat e fëmijëve është kryesisht në përputhje me standardet e BE-së, megjithatë zbatimi mbetet i kufizuar. Kështu “një sistem i integruar i mbrojtjes së fëmijëve vazhdon të mungojë, kurse qendrat për Mirëqenie Sociale, ende nuk janë të pajisura me burime profesionale, financiare dhe infrastrukturë të duhura”.

 

Ndërkohë, dështimi me kapital i shtetit të Kosovës qëndron të diskriminimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara. Sipas këtij raporti, kjo kategori përballet me diskriminim në institucione parashkollore dhe pak prej tyre frekuentojnë sistemin shkollor. Për më shumë, nëse në shumë sfera ekziston harmonizimi të paktën formalisht i ligjeve dhe rregulloreve ne fuqi me ato të Bashkimit Evropian, por mungon zbatimi, në këtë rast ka “një mungesë të qartë të harmonizimit të legjislacionit dhe politikave me ato ndërkombëtare dhe acquis-in e BE-së mbi të drejtat e personave me aftësi të kufizuara”. Ata përballen me diskrimin dhe pengesa në shëndetësi, rehabilitim, shërbime sociale, edukim, si dhe në pajisjet ndihmëse dhe infrastrukturën fizike. Më shumë se 88% e fëmijëve me aftësi të kufizuara mbeten jashtë procesit edukativ; ata që frekuentojnë shkollën nuk kanë kushte dhe shërbime të përshtatshme.

 

Sidoqoftë, ky raport mbase ka harruar të shtojë faktin se shteti i Kosovës, jo vetëm që nuk i ka plotësuar këto kushte, por edhe ka refuzuar të marr përgjegjësi për ta përmirësuar këtë realitetit diskriminues. Albin Kurti para pak dite edhe ka abdikuar nga kjo përgjegjësi. Ai me anë të një vendimi skandaloz këtë obligim shtetëror e transferoi te shoqatat fetare. Kështu pasi e shpalli me “interes publik ndërtimin e Qendrës Rezidenciale për Autizem, Sindrom Doën dhe Aftësi te Kufizuara për fëmijë, persona të rritur dhe të moshës së shtyer”, të njëjtën pronë ia dhuroi shoqatës “Jetimët e Ballkanit”, të drejtuar nga Halil Kastratit. Pra thjesht në vend të politikave gjithëpërfshirëse dhe integruese Qeveria e Kosovës i “ringjalli” modelet mesjetare të trajtimit të kategorive sensitive shoqërore sipas praktikave të dëbimit dhe përjashtimit të atyre që konsideroheshin të ndryshëm nga standardi dominues shoqëror. Kjo qasje i ngjason dëbimit mesjetar të lebrozit, ku ky i fundit i nënshtrohej një praktike dëbuese, një “praktike të mërgimit-rrethimit, ku braktiset, si në gjirin e errët të një mase që nuk ia vlen të diferencohet”. Kështu, institucionet e kohës nuk kishin përgjegjësi për këtë kategori, por ata liheshin nën mëshirën e Zotit.

 

Është ky model pasojat e të cilit i dëshmoi edhe këtë vit Raporti i progresit për Kosovën./TV Arberia

Powered by WordPress