Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Raporti i progresit përplas qeverinë dhe opozitën

Raporti i progresit përplas qeverinë dhe opozitën

Raporti i Progresit i Komisionit Evropian i publikuar të mërkurën kushtëzon rrugën integruese të Kosovës me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Bashkimi Evropian i ka kërkuar Kosovës të bëjë përparim në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit ku bënë pjesë edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke e ndërlidhur me përfitimet e vendit nga fondi miliardësh i Planit të Rritjes së BE-së.

“Kosova është zotuar se do t’i zbatojë plotësisht të gjitha detyrimet e saj përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit [të Marrëdhënieve me Serbinë] dhe Aneksi i Zbatimit të saj, si dhe nga të gjitha marrëveshjet e kaluara”.

Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, vlerëson se Raporti i Progresit është raporti më i mirë i progresit i nxjerrë Kosovën, i cili sipas tij, evidenton punën, progresin dhe sidomos luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Por, nuk pajtohet me kushtëzimet që ka bërë BE-ja të rrugës integruese të Kosovës me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit.

“Në lidhej me kushtëzimet me procesin e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjes. Duhet ta themi se Kosova është palë e interesuar për marrëveshje e për zbatim, por që Serbia nuk ka as vullnet e as interes për një gjë të tillë. Nuk është e drejtë kushtëzimi i procesit të integrimit të Kosovës nga sjellja e papërgjegjshme e Serbisë. Unë mendoj se një qasje e tillë kushtëzuese vetëm sa do të keqpërdoret nga Serbia për ta penguar edhe më tej procesin e dialogut dhe procesin e zbatimit të marrëveshjes që çon drejtë normalizimit. Është me rendësi që vlerësimi të bëhet për procesin e përafrimit të legjislacionit, politikave e të vlerave evropiane”, ka thënë Rrustemi.

Në opozitë vlerësojnë së Raporti i Progresit ndër të tjera evidenton dështimet e Qeverisë në politikën e jashtme. Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, tha se Raporti i Progresit ka vërtetuar kritikat e opozitës për veprimet e Qeverisë të pa koordinuara që i sollën vendit pasoja të mëdha deri tek vendosja e sanksioneve dhe kushtëzimet për përfitimet nga Plani i Rritjes si BE-së.

“Të gjetura në raport nuk janë asgjë më tepër sesa që ne si opozitë e kemi thënë tash e sa kohë. Pasojat e mos koordinimit të Qeverisë i kanë sjellë Kosovës dëme të njëpasnjëshme të cilat i kanë ndjerë qytetarët e Kosovës. Këtë e konfirmon raporti i cili shpërfaq pasojat e mos koordinimit të cilat kanë quar në vendosjen e sanksioneve, me një politikë të jashtme të papërfillshme në asnjë dimension, me politika të cilat nuk kanë përqafuar vlerat e Bashkimit Evropian. Raporti flet për regres, mungesë të politikave zhvillimore”, ka thënë Deliu për rtv21.

Derisa kujton se Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, raporti thekson se Komisioni është i gatshëm për të përgatitur një opinion për aplikimin e saj, kur një gjë e tillë të kërkohet nga Këshilli.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke komentuar të gjeturat e Raportit të Progresit për Kosovës tha se në raport reflekton në masë të madhe shthurjen e sistemit qeverisës në Kosovë dhe largimin e vendit nga të gjitha proceset që e përafrojnë drejt Bashkimit Evropian.

“Kjo shfaqet në cenimin e demokracisë parlamentare, ndërhyrjet në media, sabotimin e sistemit të drejtësisë, defektet në prokurim, e pothuajse në çdo fushë të jetës. Në katër vitet e fundit, Kurti e largoi dhe e sabotoi Kosovën nga proceset që e bëjnë anëtare të NATO-s. Me këtë raport shihet se e gjithë agjenda e tij është largimi i Kosovës nga të gjitha integrimet euroatlantike. Largimi i Kurtit nga qeverisja po shndërrohet çdo ditë në një obligim kombëtar për të gjithë ne”, ka thënë Haradinaj.

Ish-diplomati, Blerim Canaj, tha se gjetjet e Raportit të Progresit janë reale. Sipas tij, Qeveria ka marrë përgjegjësi në proces të dialogut duke pranuar marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë dhe sic thotë, ato duhet të kryehen.

Raporti i Progresit i Komisionit Evropian është dokumenti më rëndësishëm për vendet që synojnë anëtarësimin në BE, ku pasqyrohen të arriturat, por edhe mungesa e tyre, në reformat kyçe në procesin e integrimeve evropiane.

Powered by WordPress