Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Raporti i PIPS, Burim Ramadani: Politikat e Kosovës nuk janë përputhur me prioritetet e SHBA-së, mungoi bashkërendimi

Raporti i PIPS, Burim Ramadani: Politikat e Kosovës nuk janë përputhur me prioritetet e SHBA-së, mungoi bashkërendimi

Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë testuar gjatë vitit 2024, për shkak të mungesës së koordinimit politik dhe veprimeve të njëanshme të Qeverisë së Kosovës, veçanërisht në lidhje me veriun e vendit dhe dialogun me Serbinë. Kështu thuhet në raportin “Vjetari i politikës së jashtme të Kosovës 2024–2025: Sfidat dhe rruga përpara”, publikuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS).

Analisti i politikës së jashtme, Burim Ramadani, në një prononcim për Arbëria TV, thekson se problemi kryesor që ka cenuar marrëdhëniet me SHBA-në është mungesa e një vendimmarrjeje të bashkërenduar.

“Raporti i PIPS ka vënë në pah moskoordinimin e detajshëm të vendimmarrjes së Kosovës me SHBA-të. Këtu bëhet fjalë kryesisht për mosvendosje të përbashkët të prioriteteve të vendimeve, në veçanti në ndërlidhje me ofrimin e stabilitetit institucional dhe të sigurisë në Kosovë dhe në rajon”, deklaroi Ramadani.

Sipas tij, politikat qeveritare janë gjendur në përplasje me prioritetet e partnerit kryesor strategjik.

“Politikat qeveritare të Kosovës janë gjetur në përplasje me prioritetet e SHBA-ve dhe rrjedhimisht kanë shkaktuar pamje të ndryshme të situatave”, shtoi ai.

Ramadani e sheh bashkëpunimin me SHBA-në si thelbësor për sigurinë e vendit, duke kujtuar rolin e pazëvendësueshëm të Uashingtonit dhe të NATO-s në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë. “Besoj se rëndësia e bashkërendimit të politikave dhe vendimmarrjes rritet sidomos për faktin se SHBA-të janë garantuesi kryesor i sigurisë së Kosovës”, tha ai.

Ai shtoi se përdorimi i trupave amerikane dhe të NATO-s në Kosovë duhet të jetë në përputhje me prioritetet aktuale të aleatëve perëndimorë, veçanërisht në një kohë kur ata janë të angazhuar intensivisht në mbështetjen e Ukrainës.

“Domosdoshmëria e përdorimit të trupave ushtarake amerikane dhe të NATO-s në Kosovë duket se nuk ka qenë në përputhje me prioritetet amerikane dhe të NATO-s, tashmë mbi 3 vjet të angazhuara plotësisht në mbështetjen e Ukrainës”, përfundoi Ramadani.