Raporti më i fundit i Kombeve të Bashkuara nxjerr në pah detaje makabre lidhur me vrasjet e grave dhe vajzave në mbarë botën.
Sipas OKB, 140 gra dhe vajza në mbarë botën vdesin çdo ditë nga dhuna e partnerit ose ndonjë prej anëtarëve të familjes. Raporti nga UN Women gjeti se 85,000 gra dhe vajza u vranë qëllimisht nga burra në vitin 2023, ku 60% (51,100) e këtyre vrasjeve u kryen nga dikush i afërt i viktimës. Organizata tha se shifrat e saj tregojnë se vendi më i rrezikshëm për një grua është shpesh shtëpia e saj, ku ndodhin shumica e femicidëve.
Nyaradzayi Gumbonzvanda, zëvendësdrejtoresha ekzekutive e UN Women, tha: “Ajo që na thotë ky informacion tregon se është sfera private dhe shtëpiake e jetës së grave, ku ato duhet të jenë më të sigurta, ku në të vërtetë shumë prej tyre po ekspozohen ndaj dhunës vdekjeprurëse.”
Ajo shtoi se shifrat e paraqitura në raport janë vetëm “maja e ajsbergut”, pasi jo të gjitha shkaqet e vdekjeve regjistrohen si femicide, ndërkohë që ka shumë zona ku nuk mund të aksesohen të dhëna.
Duke qenë se raporti tregoi një rënie të numrit total të vdekjeve të qëllimshme të grave në mbarë botën krahasuar me vitin 2022 (89,000), ai gjithashtu zbuloi një rritje të numrit të grave të vrara nga partnerët intimë dhe anëtarët e familjes.
Raporti tregoi gjithashtu se Afrika kishte normat më të larta të femicidit të lidhur me partnerët intimë dhe familjen, me një numër të përllogaritur prej 21,700 viktimash në vitin 2023, pasuar nga Amerika.
Në Evropë dhe Amerikë, shumica e grave u vranë nga partnerët intimë, ndërsa në rajone të tjera, anëtarët e ngushtë të familjes ishin kryesorët që kryenin vrasjet.
Raporti gjithashtu nxori në pah një dallim të madh në statistikat e vrasjeve: Ndërkohë që burrat përbënin 80% të të gjitha viktimave globale të vrasjeve në vitin 2023, vetëm 12% e këtyre vdekjeve ishin për shkak të dhunës vdekjeprurëse brenda familjes, krahasuar me 60% të vdekjeve të grave që i ishin atribuara dhunës nga partneri ose anëtarët e familjes.